Policia, pajisje speciale për zbulimin e trafiqeve dhe pastrimin e parave
Dorëzohen pajisje për sallën e monitorimit të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto pajisje logjistike dhurohen në sajë të një financimi të përbashkët të projektit UNODC dhe Policisë së Shtetit, me mbështetjen e qeverive gjermane dhe britanike, në kuadër të fuqizimit dhe modernizimit të kapaciteteve të Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendësministri i Brendshëm, z.Avenir Peka, ambasadori i Gjermanisë, z. Bernd Borchardt, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, znj. Fiona Mcllwham, përfaqësues të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, si dhe përfaqësues të PAMECA dhe ICITAP. Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, zv/ministri i Brendshëm, z.Avenir Peka, theksoi: “Lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave vazhdon të mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, dhe vazhdimi i rritjes se kapaciteteve në këtë drejtim u theksua dhe gjatë takimit të fundit të Komitetit Ndërministror për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Donacioni, prokuruar nën financimin e qeverisë gjermane si bashkëfinancuese e projektit, i shërben pikërisht forcimit të kapaciteteve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në mbështetjen që ata i japin luftës kundër krimit të organizuar”. Ndër të tjera, z. Peka falënderoi në mënyrë të veçantë ambasadorët e vendeve mike të Shqipërisë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme për këto projekte të rëndësishme, si dhe përfaqësuesit e UNODC, PAMECA dhe ICITAP për kontributin e tyre në këtë drejtim. Ndërsa ambasadori i Gjermanisë, z. Bernd Borchardt, theksoi: “Krimi i organizuar është një fenomen që prek jo vetëm Shqipërinë, por edhe Gjermaninë dhe vendet e tjera europiane, ndaj është me rëndësi të tejskajshme që të ketë bashkëpunim të ngushtë midis vendeve tona. Ky projekt, së bashku edhe me projekte të tjera të financuara nga qeveria gjermane, si projekti rajonal në fushën e zbatimit të ligjeve, në mbështetje të RENEA-s dhe në ndihmë të sistemit gjyqësor në Shqipëri etj., kanë pasur si qëllim që ta mbështesin Shqipërinë në arritjen e standardeve të përcaktuara në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Javët e kaluara kemi marrë sinjale pozitive nga Brukseli, të cilat tregojnë se Shqipëria po i përmbush standardet e përcaktuara. Qeveria gjermane, ashtu si dhe qeveritë e tjera europiane, do t’i marrë në konsideratë këto sinjale gjatë analizës së raportit që vlerëson hapat e Shqipërisë në kuadër të këtij procesi”.
Projekti i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin mbi Forcimin e Kontrollit Kufitar dhe të Drejtësisë Penale në Luftë kundër Trafikut të Paligjshëm dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, UNODC, ka nisur që në vitin 2004 dhe si objektiv të vetin kryesor ka forcimin e bashkëpunimit ndërmjet doganave dhe policisë në luftën kundër krimit ndërkufitar në kufirin e gjelbër dhe atë detar. Kjo fazë e projektit do të përqendrohet edhe në forcimin e kapaciteteve të zyrave të antidrogës dhe antitrafikut të drejtorive të policive të qarqeve të Durrësit, Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. Projekti do të ofrojë pajisje për përdorim të përbashkët mes policisë kufitare dhe doganave, trajnim, vizita studimore dhe misione ekspertësh me qëllimin e forcimit të kapaciteteve ndër-institucionale. Projekti do të vazhdojë të prezantojë informacionin kriminal si një instrument të rëndësishëm në ndërmarrjen e operacioneve taktike dhe strategjike, kryesisht në grumbullimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit që lidhet me luftën kundër narkotikëve (Memex), si dhe mbështetje teknike për njësinë e operacioneve speciale. Projekti do të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje të veçantë trajnimit të oficerëve të policisë dhe doganave, si dhe do punojë në krijimin e një kurrikule kombëtare përmes trajnimit të trajnerëve në metodat e kontrollit në kufi. Disa nga këto aktivitete të përbashkëta trajnuese janë nisur gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit do vazhdojnë me trajnimin praktik të oficerëve në një nga vendet e BE-së. Projekti, në të tre fazat e tij, kap shumën e 2.1 milionë dollarëve, me donatorë qeverinë italiane me 1.5 milionë dollarë dhe qeverinë gjermane me rreth 600000 USD.
#