E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teatri Migjeni, tribuna që përcolli mesazhin e paqes

/>Edhe këtë vit, skena e teatrit Migjeni në Shkodër, u kthye në një tribunë e cila shërbeu në mënyrë të shkëlqyer në për sjelljen e mesazheve të paqes. Ditën Botërore të Paqes, iniciativë e cila u mor 20 vite më parë nga Papa Gjon Pali II dhe gjeti vend para dhjetë vjetësh edhe në qytetin e Shkodrës. Banorët e tij, tashmë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe nevojën për të jetuar në paqe e mirëkuptim me njëri-tjetrin, u mblodhën si në një festë të bukur, për ta kremtuar në mënyrë të përbashkët këtë ngjarje të mrekullueshme, e cila tashmë është kthyer në një festë popullore. Dita Botërore e Paqes është kremtuar në teatrin Migjeni të qytetit  të Shkodrës, për të dhjetin vit radhazi. I konceptuar në formën e një spektakli letrar-artistik me pjesëmarrjen e të rinjve nga shkollat dhe qendrat kulturore të qytetit, ky organizim kishte qëllim përcjelljen e mesazhit të Shenjtërisë së Tij, Papa Benedikti i XVI. në "Ditën Botërore të Paqes". Me anë të interpretimeve origjinale artistike, sidomos këngëve dhe valleve tradicionale dhe moderne shqiptare, u përcoll hareshëm ai mesazh i shumëpritur i paqes, kulturës dhe përparimit, pa të cilat e ardhmja do të ishte e pasigurt dhe e pashpresë. Në këtë organizimi merrnin pjesë përfaqësues të të gjitha besimeve fetare që tradicionalisht bashkëjetojnë prej vitesh në Shkodër, të cilët përcollën mesazhet e tyre të urimit. Ndërkohë, gjatë aktivitetit, janë lexuar pjesë nga mesazhi i Atit të Shenjtë,  Benedikti XVI për kremtimin e Ditës Botërore të Paqes. Aktiviteti u bë i mundur falë bashkëpunimit të shoqatës Drejtësi dhe Paqe me Arqipeshkvinë Shkodër-Pult, dhe Karitasin Shkodër. Shfaqja arriti kulmin kur, përfaqësuesit e tre komuniteteve fetare në Shkodër, u ngjitën në skenë dhe së bashku përcollën mesazhin e tyre të paqes dhe të bashkëpunimit, për një vit të mbarë në harmoni dhe bashkëpunim. Të pranishmit u larguan nga shfaqja, nën tingujt e mrekullueshëm të këngëve dhe valleve fëminore dhe rinore, duke marrë me vete mesazhin e paqes, të shprehur në mesazhin e Shenjtërisë se Tij, Papa Benedikti i XVI, i cili u shpërnda për të gjithë të pranishmit në gjuhën e bukur shqipe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›