Grabitën dekorin elektrik të stadiumit, ndalohen dy të mitur
Gjirokastër-Efektivat e policisë në Gjirokastër kanë ndalur dy persona, të cilët dyshohet se kanë grabitur dekorin elektrik të stadiumit të qytetit. Sipas burimeve zyrtare në policinë lokale, specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës kanë ndaluar dy 17-vjeçarë nga ky qytet, identiteti i të cilëve nuk publikohet për shkak të moshës së mitur, pasi kanë grabitur kabllot elektrikë të dekorit të stadiumit “Gjirokastra”. Ngjarja ka ndodhur orët e para të ditës së diel. “Ne u sinjalizuam se dy persona ndërsa kishin vjedhur kabllot elektrikë të stadiumit, po tentonin të largoheshin për t’u fshehur”, - thonë burime policore. Pasi kanë mbërritur në zonën pranë stadiumit të Gjirokastrës, specialistët antikrim kanë ndaluar dy të rinjtë ndërsa mbanin një thes plastmasi të mbushur me kabllo elektrikë. “Gjatë prerjes së kabllove elektrikë të dekorit, dy të ndaluarit kanë dëmtuar dhe nxjerrë jashtë përdorimit edhe sistemin e furnizimit me energji elektrike në këtë pjesë të qytetit”, - thonë burime në grupin hetimor. Mbi dy të miturit rëndon akuza për veprën penale të “vjedhjes, kryer në bashkëpunim”.