E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë po zvarrit gjyqin “Meta-Prifti”, beteja pas 45 ditësh

26/07/2011  Kolegji nuk arrin të përcaktojë ekspertët e videos, vendimi do merret më 9 shtator

TIRANE- Gjykata e Lartë zvarrit për në muajin shtator dosjen e video-përgjimit Prifti-Meta, për të cilin ish-ministri i Ekonomisë njëherësh ish-zv/kryeministri Ilir Meta është marrë i pandehur për akuzën e korrupsionit. Seanca ku ishte parashikuar të përcaktoheshin ekspertët për ekspertimin e video përgjimit ka filluar 1 orë e 10 minuta me vonesë, (tipar ky i vazhdueshëm në çdo seancë) dhe për pasojë sërish është shtyrë, duke zgjedhur datën 9 shtator për fillimin e betejës ligjore Meta-Prifti. Kjo shtyrje u argumentua nga relatori i çështjes se Kolegji Penal përgjatë kësaj periudhe nuk kishte mundur të gjente emrin e një eksperti, për t’i lënë më pas si detyrë ekspertimin e videos të përgjuar nga Dritan Prifti dhe aparateve të tjera si ora, Lap-Topi etj. Por gjatë seancës relatori Ardian Dvorani nuk përmendi nëse kolegji i ishte drejtuar për marrjen e informacionit Ministrisë së Brendshme, ndonjë eksperti privat apo ndonjë specialisti të huaj. Por thjesht u mjaftua me deklaratën e shkurtër, duke njoftuar shtyrjen e seancës gjyqësore për në shtator. Pas këtij vendimi, avokati mbrojtës i të pandehurit Ilir Meta, Gëzim Veleshnja, ka kërkuar që gjykimi të vazhdonte me dëgjimin e dëshmitarëve dhe të shmangej zvarritja e gjyqit deri në datën 9 shtator. Këtij pretendimi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i është kundërpërgjigjur, se gjykata tashmë nuk mund të ndryshojë radhën e marrjes së provave, për shkak se caktimi i ekspertëve është vendosur që në seancën e kaluar, me kërkesë të vetëmbrojtjes. Për pasojë tashmë procesi gjyqësor kundër ish-ministrit të Ekonomisë Ilir Meta do të fillojë në muajin shtator, periudhë kjo kur dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kthehen nga pushimit verore. Edhe në vjeshtë, gjykata do hulumtojë për gjetjen e emrit të specialistit të ekspertimit të videos. Ka shumë gjasa që eksperti që do caktohet të jetë shqiptar, për shkak se mundësitë financiare të gjykatës, por dhe të Prokurorisë nuk mjaftojnë për pajtimin e një eksperti të huaj. Vetë përfaqësuesit e akuzës janë shprehur se janë të mendimit të caktimit të një eksperti të huaj, por gjithsesi ata shprehen se në këtë momente ku ka arritur dosja, do ja besojnë Gjykatës së Lartë emrin e ekspertit. Edhe pala mbrojtëse nuk është në kundërshtim me emrin e ekspertim, vetëm se kjo e fundit e kërkon sa më parë kryerjen e ekspertimit të videos, për të mësuar në mënyrë të pavarur mbi vërtetësinë e saj. Pritet që në muajin shtator, dy ish-ortakët Meta dhe Prifti të paraqiten sërish në Gjykatën e Lartë ku do ulen përballë njëri-tjetrit për të dëgjuar argumentet dhe kundërargumentet rreth bisedës korruptive të kryer mes tyre për një aferë prej rreth 700 milionë lekësh.

30 mijë dollarë

Vetëm për ekspertizën e kryer nga eksperti amerikan Glen Bard, akuza ka paguar nga buxheti i saj shumën prej 15 mijë dollarësh. Një shumë financiare e njëjtë me të i është paguar nga buxheti i Prokurorisë dhe specialistit anglez Adrian Phillips, të cilit ju la detyrë për pastrimin e zërit të videos Meta-Prifti. Momentalisht këto para shërbyen vetëm për ngritjen e akuzës ndaj liderit të LSI, Ilir Meta, dhe dërgimit të çështjes penale në Gjykatën e Lartë, por që më pas ato u klasifikuan si të paligjshme nga Kolegji Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›