E Shtunë, 31 Tetor 2026

Task-Forca fletë- thirrje gjyqtarit të Tropojës

26/07/2011  Një muaj pas heqjes së imunitetit KLD gjyqtari Ujkashi në Prokurori

Pritet të dëshmojë për aferën 50 mijë euroshe me Paro Laçin

TIRANE-Një muaj pas heqjes së imunitetit të gjyqtarit të Tropojës, Sami Ujkashi, njësia hetimore Task-Forcë i është drejtuar me një fletë-thirrje gjyqtarit, për t’u paraqitur në Prokurori që të japë shpjegime lidhur me procedimin penal që akuza ka nisur ndaj tij. Vonesa për administrimin në dosje të dëshmisë së gjyqtarit Ujkashi vjen për shkak se sipas organit të akuzës Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka dërguar 1 muaj me vonesë në Prokurori shkresën e heqjes së imunitetit dhe për pasojë organi procedues, nuk ka pasur të drejtën ligjore për marrjen në pyetje të gjyqtarit të Tropojës, i cili akuzohet se ka ndikuar në mënyrë të paligjshme tek gjyqtarët e Shkodrës për të liruar një të dënuar për vrasje. Ditën e djeshme njësia antikorrupsion Task-Forcë ka dërguar në adresë të gjyqtarit Ujkashi një fletë-thirrje, i cili ftohet për të dëshmuar lidhur me pozicionin e tij në dosjen penale ku janë arrestuar 11 persona mes tyre dhe ish-presidenti i “Partizanit” Paro Laçi. Sipas akuzës për lirimin nga burgu të të dënuarit Artur Vigani, nuk është interesuar vetëm ish-presidenti i klubit të futbollit “Partizani” Paro Laçi, por në “valle” ka hyrë dhe gjyqtari i rrethit të Tropojës Sami Ujkashi. Ky i fundit asokohe me detyrë avokat ka ndërhyrë në një nga gjyqtarët e Shkodrës, duke i premtuar atij 50 mijë euro në këmbim të lirimit të shtetasit të dënuar Artur Vigani, i cili ishte dënuar me 25 vjet burg për akuzën e një vrasjeje që kishte kryer në Itali. Sipas prokurorëve të njësisë Task-Forcë Durrës, të cilët e kanë mbajtur nën survejim gjyqtarin Ujkashi, ai u ka premtuar familjarëve të Viganit se në këmbim të 50 mijë eurove, do të mundësonte lirimin shëndoshë e mirë të të afërmit të tyre që mbahej i izoluar në burg. Nga kjo marrëveshje Sami Ujkani ka marrë paratë, por në fakt s’ka mundur të realizojë premtimin e dhënë, pavarësisht ndikimeve të vazhdueshme tek gjyqtarët e Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›