E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks pacientësh në spitale nga klori i tepërt i pishinave



Emanuela Sako

Poliklinikat e spitalet kanë një dyndje të madhe pacientësh për shkak të problemeve që u janë shfaqur në lëkurë dhe në sy. Qytetarët kanë pasur simptoma të kruajtjes së trupit, shenja në lëkurë, apo kruajtje të syve. Këto shqetësime mësohet se iu kanë ardhur pas frekuentimit të pishinave në kryeqytet. Mjekët shpjegojnë se kur nuk respektohen parametrat e sasisë së klorit atëherë pasojat bien mbi lëkurën e përdoruesve të ujit të pishinave. Pikërisht për këtë probleme, mësojmë se inspektorët e Drejtorisë së Higjienës në Tiranë, kanë shtuar kontrollet për respektimin e rregullave higjiene –sanitare në pishina dhe plazhe. Ata thonë se nga kontrollet e ushtruara është vërejtur se pishinat kanë më shumë probleme me sasinë e klorit. Ndërsa specialistët në poliklinika shprehen se një pjesë e problemeve në lëkurë, shkaktohen edhe nga klori, përveç papastërtive. Violeta Kerxhalli, inspektore sanitare, shprehet se ndaj subjekteve që nuk zbatojnë rregullat e vendosura merren masa me gjobë dhe pezullim të aktivitetit për një kohë të caktuar.
Kushtet
Specialistët e higjienës shprehen se uji në pishinat e Tiranës po ta krahasosh me detin është më i pastër, pavarësisht se në urgjencat e kryeqytetit drejtohen pacientë me simptomat në lëkurë që shkaktohen nga klori. Inspektorët, shpjegojnë se kjo vjen si pasojë e irritimit të lëkurës nga klori, por dhe nga faktorë të tjerë. ”Nga kontrolli që ne kemi bërë, kemi parë sasia e klorit varion nga 0.8 miligramë për litër, deri në 1-1.5 mg për litër, të cilat janë parametra që nuk janë dëmtues për lëkurën. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet mundësia për një lëkurë shumë të ndjeshme nga klori, por nuk është vetëm pishina shkaku. Ka shumë faktorë të tjerë që mund të çojnë në dermatite, që nga djersa, pluhuri, plazhet që janë të papastruar mirë, shezlonet”,- theksoi Kerxhalli. Inspektorët sanitarë kontrollojnë javë për javë rreth 23 pishina që ndodhen në Tiranë, ndërkohë që marrin çdo ditë të dhëna, nga trajnuesit sanitarë që janë të punësuar pranë këtyre subjekteve.
Infeksionet
Infeksionet më të mëdha nga uji shfaqen në lëkurë, prandaj dhe mjekët bëjnë apel që nëse pushuesit vënë re simptomat e para në lëkurë, të drejtohen në klinika. Një problem tjetër është edhe shfaqja infeksioneve të ndryshme në sy. Simptomat e para që vihen re në përhapjen e infeksionit të syve, janë skuqja, kruajtja e fortë, turbullime në shikim etj. Mjekët rekomandojnë që qytetarët, duhet të kujdesen për veten e tyre, duke mbajtur higjienë të pastër. Sipas mjekëve, duhet të përdoret fshirja e fytyrës me peshqirë të pastër pas çdo zhytje në ujin e pishinës. Njëkohësisht, pas daljes nga uji duhet të bëhet shpëlarja e menjëhershme e trupit me ujë të pastër.

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›