INSTAT: Importi në maj 2,8 për qind më i lartë, thellohet deficiti tregtar
Rritja e nivelit të importeve ka shtuar edhe atë të deficitit tregtar. Një përfundim i tillë arrihet nëse studion të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave, sipas të cilave në muajin maj, importi arriti një nivel prej 2.8 për qind më të lartë në krahasim me muajin maj të vitit të kaluar. Ndërkohë, deficiti tregtar llogaritet që të jetë më i lartë me një rritje prej 13.2 për qind krahasuar me muajin paraardhës. Sipas të dhënave të INSTAT-it, disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët importi është rritur janë: Italia, Gjermania, Greqia, Kroacia, Zvicra etj. Në muajin maj ‘09 u importuan 37,662 miliard lekë mallra të ndryshme, me një rritje prej 11,5 për qind në krahasim me një muaj më parë dhe rritje prej 2,8 për qind në krahasim me muajin maj të vitit 2008. Sipas INSTAT-it, deficiti tregtar i muajit maj ishte 29,424 miliard lekë, duke pasur një rritje prej 13,2 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 11,2 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2008. Tregtia me vendet e BE-së zuri 63,6 gjatë muajit maj 2009 për qind të totalit dhe partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë importi zë 27.6 për qind të totalit, ndërsa me Greqinë importi zë 13,3 për qind të totalit. Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup-mallrat tregon se importi i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 103,4 për qind, “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 25,4 për qind, “Prodhime druri dhe letre” u rrit 18,5 për qind etj. Ndërsa importi i grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u ul 10,9 për qind etj.
Në muajin maj 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3,191 miliard lekë, duke zënë 8,5 për qind të totalit të importit. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e kanë zënë nënproduktet e naftës (49,9 për qind).
Sezoni turistik shton kërkesat për monedhën vendase, leku forcohet ndaj euros
Monedha shqiptare, leku, vazhdon të forcohet kundrejt monedhave të huaja, që nga fundi i muajit të kaluar dhe fillimi i këtij muaji, sidomos ndaj dollarit dhe euros dhe tendenca është drejt forcimit të mëtejshëm. Në tregun e këmbimit valutor, dje një dollar është blerë me 90,4 lekë dhe është shitur me 90,9 lekë, duke pasur një rënie prej 2 pikësh kundrejt lekut në krahasim me dy javë më parë. Ndërkohë, para një muaji një dollar është blerë me 98 lekë dhe është shitur me 98,5 lekë, ndërsa para tre muajsh një dollar është blerë me 101 lekë dhe është shitur me 101,5 lekë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kursin e këmbimit të lekut me monedhën evropiane, euro, ku ka pasur tendencë të forcimit të lekut. Dje një euro është blerë me 127,7 lekë dhe është shitur me 128,3 lekë, ndërsa para dy javësh një euro është blerë me 130.3 lekë dhe është shitur me 130,9 lekë. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, leku ka paraqitur qëndrueshmëri edhe ndaj valutave të tjera, një situatë favorizuese që ka ardhur si pasojë e efekteve te sezonit veror, që ndikojnë në forcimin e monedhës vendase, që është më e kërkuar nga emigrantët që vijnë për pushime pranë familjeve të tyre apo turistët e shumtë, sidomos nga Kosova dhe Maqedonia. Gjatë dy javëshit të dytë të muajit korrik dhe ditëve të para të muajit gusht ka qenë në rritje numri i turistëve kosovarë që kanë ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri, sidomos në plazhet e bregdetit Adriatik, fluks që është rritur sidomos pas shkurtimit të ndjeshëm të udhëtimit pas ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Po ashtu, në pikat kufitare në jug të vendit si, në Kakavijë, Kapshticë, apo ato në veri të vendit, çdo ditë hyjnë me mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët kthehen pranë familjeve për të kaluar pushimet.
4 Gusht 2009