E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat e larta, rriten rastet e helmimeve ushqimore



Mjekët infeksionistë flasim për shtim të rasteve të qytetarëve me helmim ushqimi. Ata pohojnë se janë rritur ndjeshëm rastet nga helmimet ushqimore, por edhe nga uji. Simptomat që kanë shfaqur pacientët, kanë qenë të vjella, diarre, si temperaturë e lehtë etj. “Helmimet ushqimore janë goxha shqetësuese për momentin, për stinën e verës, më të shpeshtat i kemi nga salmonelat, shikeda”,- shprehet Alma Hoxha, mjeke infeksioniste në Poliklinikën Qendrore. Mjekët infeksionistë japin këshillat e nevojshme, për përdorimin e ushqimeve dhe bëjnë apel për të mospërdorimin e ushqimeve të blera nga shitësit ambulatorë. Specialistët theksojnë që qytetarët duhet të kenë kujdes edhe për ujin e pijshëm. Ata duhet të sigurohen që uji të jetë i freskët dhe jo i ndenjur. “Uji që rri mbi një ditë nuk duhet të konsumohet për të pirë. Ushqimet që gatuajmë është mirë të konsumohen brenda vaktit. Mosngrënia e ushqimeve të shitësve ambulatorë, nuk rekomandohet të merret, as uji tek këta shitës ambulatorë, pasi dhe uji ka kushtet e mbajtjes së tij. Duke ndenjur në diell dhe ai bëhet shkak për helmimet ushqimore, vezët e ziera, salsiçet”, - theksoi mjekja Hoxha. Numri i personave të prekur nga helmimet e ushqimeve është rritur gjatë sezonit të nxehtë të verës. Shkak për këtë janë bërë ushqimet e pakontrolluara, si dhe konsumimi i tyre jashtë gjendjes së duhur për konsum. Mjekët shprehen se shtim të pacientëve ka edhe në Spitalin Infektiv. Të gjithë pacientët rezultojnë se kanë konsumuar produkte të prishura ose që nuk janë mbajtur në temperaturat e duhura në frigoriferë dhe kanë shkaktuar probleme shëndetësore. Specialistët bëjnë thirrje që qytetarët duhet të kenë kujdes në konsumimin e ushqimeve dhe lëngjeve, qoftë ato që blejnë në shtëpitë e tyre, apo konsumit në lokale dhe restorante. Mjekët shprehen se pritet që numri i të prekurve të shënojë rritje në rast se do të konsumohen ushqime që nuk janë të freskëta, apo nuk mbahen në kushte të pastra higjienike. E njëjta situatë e vështirë është edhe në bare dhe restorante, që janë tepër të frekuentuar. Specialistët shprehen se ndotja bakteriale shkakton probleme të shumta tek konsumatorët, të cilët janë të rrezikuar nga konsumimi i përditshëm i lëngjeve. Nga vëzhgimet e kryera në terren, duket qartë se tregtarët i shesin produktet në kushte jashtë çdo standardi të higjienës. Ndërkohë që mjekët shprehen se duhet pasur kujdes, pasi ato mund të bëhen shkaktar për helmime, të cilat janë të rrezikshme për jetën. Më të rrezikshme janë produktet ushqimore blegtorale, por pa përjashtuar frutat, perimet dhe mishin. Këto produkte shiten në treg në ambient të hapur dhe pa mbajtur një temperaturë konstante. Specialistët shprehen se tregtimi duhet të bëhet në ambiente të mbyllura që të mos kenë kontakt me tymin e rrugës, të mbahen në frigoriferë dhe larg mizave apo mushkonjave. Në të kundërt, këto ushqime mund të bëhen rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve. Madje, për shkak të këtyre problemeve, mjekët raportojnë rastet e para që janë drejtuar në spitale me simptoma të helmimit na ushqimet.

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›