E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse u përjashtuan Shqipëria, Kosova dhe Bosnja nga liberalizimi i vizave?



Prof. Dr. Ibrahim Gashi*

Pakoja e fundit liberalizuese e BE-së ndaj disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, natyrisht, nuk është pritur mirë nga vendet e përjashtuara; madje, ka shkaktuar edhe doza të konsiderueshme zhgënjimi. Një reagim i tillë i opinionit qytetar në Prishtinë, Tiranë dhe Sarajevë është i kuptueshëm. Por, nëse ata që e quajnë veten analistë mendojnë vërtetë se Evropa gaboi, them se nuk janë shumë të familjarizuar me politikat e zgjerimit të BE-së dhe kanë pak njohuri në përgjithësi për prirjet e politikës globale. Në lajthitje edhe më të madhe kanë rënë ata që e kanë quajtur këtë “getoizim” të islamizmit.

Vendimi për të “integruar”, - respektivisht “izoluar”, nuk duhet parë apriori si vendim për të favorizuar, - respektivisht diskriminuar. Ka diçka më tepër në tërë këtë. Vendet që u përfshin në procesin e liberalizimit të vizave si; Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi kanë filluar një diskurs të ri në politikën e tyre ndërkombëtare; diskurs i cili paraqet shmangie nga politika e jashtme tradicionale e tyre. Derisa Maqedonia dhe Mali i Zi, për më shumë se një shekull jetuan pa identitet apo me identitet të limituar politik, Serbia nga ana e saj ishte për aq kohë ombrella nën të cilën mblidheshin popujt sllav të Ballkanit.

Nga fillimi i shekullit të XX, më bekimin e Rusisë, Serbia mori rolin e Piemontit në unifikimin e sllavëve të Jugut. Rrjedhimisht, fillimi i shekullit XX i gjeti këto tri shtetet me një identitet të ri politik, si shtete të pavarura, por pa një identitet të profilizuar në marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili sillej midis nostalgjisë nga e kaluara pro-lindore dhe realitetit të një pozicioni dualist, midis Lindjes dhe Perëndimit, por me mungesë të një aspirate të qartë (bën përjashtim, sado pak, rasti i Maqedonisë) pro- perëndimore.

Përball kësaj politike hezituese, ndonjëherë plotësisht anti-perëndimore (rasti i Serbisë), e cila u provua katërçipërisht në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar, Perëndimi u gjend i shtrënguar të përdorë masën imponuese shumë të preferuar të “shkopit dhe karotës”. Kësaj here, Serbisë iu ofrua karota dhe ajo e pranoi. Gradualisht, ka gjasa që opinioni qytetar, mekanizmi i vetëm që mund të ushtrojë presion mbi elitat politike që të punojnë në arritjen e integrimit të plotë të Serbisë në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, do të kërkojë shkëputjen e vendit nga politikat tradicionale pro-lindore..

Vendet që u përjashtuan nga kjo pako liberalizuese (Kosova, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina), në politikën e tyre tradicionale në marrëdhënie më jashtë, historikisht njihen si vende qe aderojnë drejt Perëndimit dhe shumë më pak drejt Lindjes. Po ashtu, historia provon se lidhjet e vjetra kulturore dhe ato aktuale; qofshin ekonomike apo politike, i lidhin shumë më tepër këto vende me Perëndimin. Për më tepër, historia më e re, kontributi i Perëndimit në procesin e shkëputjes dhe pavarësimit të tyre, ka qenë aq i madh dhe përcaktues, sa që këto tri vende, nuk ka si të cilësohen ndryshe, veçse, si aleat të Perëndimit. Shqipëria në vitet e stuhishme të pavarësisë e ndjeu fuqishëm dorën e mbështetjes së Monarkisë dualiste të Austro-Hungarisë.

Nuk është e tepërt të tërhiqet një paralele, natyrisht e vëmendshme për specifikat e kohës, se Shqipëria në procesin e pavarësimit të saj, mori një mbështetje nga Austro-Hungaria në vitin 1912 dhe 1913, ashtu siç edhe Kosova e mori nga SHBA-të në vitin 1999; edhe Bosnja e Hercegovina duhet parë si krijesë politike e Perëndimit në konstelacionin politik dhe ushtarak që ishte krijuar atje, në vitet e stuhishme 1991-1995. Rrjedhimisht, këto tri vende nuk u anashkaluan për arsye se nuk janë pro-perëndimore, por pikërisht se nuk mund të jene pjesë e të njëjtës pako me vendet, të cilat duhet të dëshmojnë se janë të gatshme të bëhen plotësisht pjesë e proceseve integruese evropiane dhe euro-atlantike.

Kur jemi tek Shqipëria, duhet të themi se shumë shpejt, vitin e ardhshëm (2010), ajo do t’i bashkohet këtij procesi të liberalizimit të vizave. Këtë e konfirmuan në mënyrë kontekstuale edhe disa nga krerët politik të BE-së si Solana e Bild në diskutimet e tyre lidhur me nismën e BE-së drejt Islandës. Kjo puqet edhe me nivelin e përmbushjes së standardeve të Shqipërisë ndaj këtij procesi.

Kosova, siç duket, e ka më të largët horizontin për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Janë një numër kushtesh formale dhe politike që Prishtina zyrtare duhet të përmbush më këtë rast. Barrierat e natyrës formale s’do mend se lidhen me mosnjohjen e shtetit të Kosovës edhe nga pesë shtete anëtare të BE-së. Në këtë rast, mundësitë e marrjes së një vendimi pozitiv brenda BE-së, lidhur më Kosovën, të çfarëdo natyre qoftë, janë gati të pamundura, në rrethanat e ekzistencës së një unanimiteti absolut në vendimmarrje, si rregull brenda këtij Bashkimi.

Do të ishte pa-imagjinueshme të besohej se pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën do të votonin në favor të liberalizimit të vizave, kur dihet se shumica e tyre (përpos Greqisë) nuk i njohin, as pasaportat, e as shtetin e Kosovës). Dhe jo vetëm kaq. Kosova në planin e brendshëm vazhdon të përballët me mosnjohje të legjitimitetit të saj shtetëror nga një numër banorësh të saj dhe rrjedhimisht mos shtrirje të sovranitetit në tërë territorin e saj. Kjo nënkupton edhe kontroll jo të plotë të një pjese të kufirit të saj shtetëror. Dhe është e kuptueshme në këtë rast shkalla e lartë e trafiqeve ilegale, për të cilat flasin raporte të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Ecuria e ultë e zhvillimit ekonomik, shkalla e lartë e papunësisë, dhe niveli pothuaj konstant i krimit të organizuar dhe korrupsionit janë barriera të natyrës politike, të cilat Kosova pritet t’i zvogëloj në dy tre vitet e ardhshme përmes një asistence ndërkombëtare në fushën e gjyqësorit, në bashkërenditje me EULEX-in. Në fund, është edhe një arsye e natyrës thjesht teknike, të cilën autoritete e Prishtinës do të kishin mundur ta shmangnin nëse do të mendonin me kohë; Është fjala për pasaportat biometrike, që mund të përgatiteshin, me një kosto pak më të lartë, në momentin kur u be zëvendësimi i dokumenteve të identitetit, të lëshuara nga administrata e UNMIK-ut, më ato të shtetit të Kosovës. Kjo nuk u bë atëherë, kur do të kushtonte shumë më pak në kohë dhe para, por do të bëhet tani, me kosto të dyfishtë; dhe për fat të keq, mundet, që në rrethana të caktuara të ndonjë vendimi të ri të favorshëm të Brukselit karshi Kosovës, kjo të bëhet pengesë kryesore për heqjen e vizave.

Bosnja dhe Hercegovina vazhdojnë edhe më tutje të jenë pre e një zgjidhje që po testohet në funksionimin e saj. Zhvillimet atje, akoma nuk janë plotësisht premtuese për të ardhmen e këtij shteti tri-palësh. Prirjet secesioniste dhe politikat përjashtuese brenda njësive federale e rrisin dilemën edhe për vendet e Bashkimit Evropian karshi këtij entiteti shtetëror fraxhil.

Së fundi, ky shkrim është menduar të jetë në funksion të të kuptuarit më të thellë të arsyeve pse BE bëri politikë selektive ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Do të doja që ata që e lexojmë këtë shkrim të akuzojnë më pak Evropën, e cila bëri dhe po bën mjaft për Kosovën dhe më shumë të kërkojmë arsyet e mos-liberalizimit të vizave tek vetja jonë sesa tek vendim-marrja e Brukselit..

*Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës

Gazeta mirëpret opinionet tuaja në lidhje me faktin nëse ishte i drejtë vendimi i BE-së për shtyrjen e procesit të heqjes së vizave mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Opinionet tuaja mund t’i dërgoni në adresën e gazetës “Albania” ose në adresën e e-mai-t: albertgjoka@yahoo.com

4 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›