Fluksi në dogana ,policia: Emigrantët të kalojnë nga Tri Urat dhe Qafë-Bota
Duke marrë shkas nga fluksi i madh i lëvizjes së qytetarëve në drejtim të pikave të kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës, Policia e Shtetit u sugjeron qytetarëve të interesuar për të lëvizur në drejtim të shtetit grek që të drejtohen në pikat e kalimit kufitar tek Tri Urat apo në Qafë-Botë. Përmes një deklarate për shtyp një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bën me dije se nga departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit, me qëllim shmangien e radhëve të gjata, krahas shtimit të sporteleve në pikat e kalimit kufitar për përpunimin në kohë të shpejtë të udhëtarëve dhe automjeteve, janë marrë kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me autoritetet policore greke. Në këtë pikë, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe i fton ata të bashkëpunojnë, me qëllim që fluksi i madh i lëvizjes së tyre të mos jetë i përqendruar vetëm në dy pikat kufitare, por të shpërndahet dhe në pikat e tjera të kalimit kufitar, duke bërë të mundur që qytetarët të mbërrijnë në kohë në destinacionin e dëshiruar. Ndërkohë, masat janë parë të vihen në zbatim që një ditë më parë, ku patrullat e posaçme policore që po qarkullojnë dhe inspektojnë akset rrugore që të çojnë në vendkalimin kufitar të Kakavijës në Gjirokastër, janë duke orientuar emigrantët që të ndërrojnë destinacion largimi. Po kështu, një numër forcash policie gjenden në fillim të aksit rrugor Gjirokastër-Kakavijë dhe ndalon makinat me emigrantë, duke u sugjeruar që të shfrytëzojnë vendkalimin kufitar të Tri Urave në Përmet, në përpjekje për të shmangur radhët e gjata. Nga ana e tyre, emigrantët thonë se e mirëkuptojnë sugjerimin e policisë, por shprehen se pengesa vjen nga vendimi i Ministrisë së Brendshme greke që parashikon hyrje-dalje nga e njëjta pikë kalimi kufitar.