E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluksi në kufi, takim mes dy policive

 

GJIROKASTER - Shmangia e radhëve të emigrantëve në pikat kufitare të jugut ka shërbyer për organizimin e një takimi bilateral, mes policive kufitare të Rajonit të Gjirokastrës dhe Epirit në Greqi, në pjesën greke të Kakavijës. Në këtë tubim, krahas përfaqësuesve të të dy policive kufitare, asistonin edhe përfaqësues të doganave respektive. Kreu i Policisë Kufitare të Gjirokastrës, Vasil Valera, ka shprehur angazhimin e tij dhe të efektivave që ai drejton, jo vetëm për të shmangur radhët e pritjes së emigrantëve, por edhe për goditjen e elementëve të inkriminuar, të cilët mund të shfrytëzojnë fluksin e madh të lëvizjeve në kufi për të vepruar. Ndërkohë edhe Drejtori i Policisë së Epirit, Marios Gurlis, si dhe drejtuesja e Doganës greke të Kakavijes, Maria Nastu, kanë konfirmuar angazhimin e tyre maksimal për të evituar radhët e pritjes së emigrantëve gjatë lëvizjes në të dyja anët e kufirit në çdo sezon. “Ashtu si edhe sezonet e kaluara, edhe në këtë periudhë pushimesh, ne po përballemi me një fluks në rritje të lëvizjes në të dyja anët e kufirit”, është shprehur drejtuesi grek Gurlis. Sipas tij, vetëm gjatë ditëve të para të muajit gusht, kanë udhëtuar nga Greqia në drejtim të Shqipërisë rreth 40 mijë persona, ndërsa prej kohës së lëshimit të urdhrit të Ministrisë së Brendshme Greke kanë kaluar kufirin 213 mijë persona.            p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›