E Diel, 1 Nëntor 2026

“Plaku i transplanteve”, padi në Gjykatë për dëmin moral

 

BURREL - Teksa i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Marty, takonte zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar për të rinisur hetimet rreth transplantit të organeve trupore të 300 ushtarëve serbë në Shqipëri, Abdulla Katuçi, banori i fshatit Gurrë, i vënë në shënjestër nga ish-prokurorja e Hagës, ende nuk e ka vënë dëmin moral në vend. Ai dhe dje ndodhej në qytetin e Burrelit për të gjetur një avokat dhe për të nisur procedurat ligjore rreth kontrollit të paligjshëm të ushtruar në shtëpinë e tij. Në orët e mesditës, 74-vjeçari është takuar me avokaten Suzana Hoti, e cila ka marrë përsipër mbrojtjen e tij në të gjitha hallkat e gjyqësorit shqiptar. Avokatja pohoi se ishte njohur nëpërmjet medias me akuzat që ishin drejtuar ndaj këtij shtetasi dhe ishte e bindur se e drejta ishte në anën e Katuçit, matjanit të akuzuar se shtëpinë e tij e kishte kthyer në klinikë për transplantin e organeve trupore. “Kam përgatitur gjithë dokumentacionin ligjor që kërkohet. Jam plotësisht e bindur se kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Abdulla Katuçi, në shkurt të vitit 2004, është i paligjshëm. Normale do të ishte që hetuesit, vendas apo të huaj, duhet të kishin me vete një vendim për ushtrim kontrolli në banesën e Katuçit”, sqaroi avokatja. Sipas saj, ekspertët apo hetuesit duhet t’i bënin të qartë kryefamiljarit arsyet e kontrollit e jo t’i nxirrnin në mes të dimrit jashtë, bashkë me fëmijët. Duke vijuar argumentet e saj, Hoti nënvizoi se në këtë rast kemi të bëjmë me shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe për këtë duhen gjetur përgjegjësit, pasi dëmi moral që i është shkaktuar kësaj familje është i rëndë. “Është dhunuar banesa e një shtetasi nga ana e vetë shtetit”, thotë avokatja, që ka vendosur të mbrojë plakun nga Gurra e Matit. Ajo thotë se do të dërgohet në Gjykatën e Burrelit padia për dëmin moral ndaj tij. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›