Shkodër, shtohen krimet e të miturve
SHKODER - Rritet numri i të miturve të përfshirë në krime. Të dhënat zyrtare nga Gjykata e Shkodrës tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë gjykuar 51 të mitur. Kjo, një shifër më e lartë në krahasim me vitin 2007 e që tregon shtimin e kriminalitetit tek ky kontingjent. Mësohet se në 2008-ën, gjyqtarët e seksionit penal të të miturve kanë dhënë 86 masa sigurimi. Gjykimet kanë bërë që ky kontingjent të marrë lloje të ndryshme dënimesh. Sipas të dhënave nga gjykata, rastet më të shumta i kapin vjedhjet, të cilat shkojnë deri në 65 për qind. Po kështu ka edhe të mitur, të cilët akuzohen për “armëmbajtje pa leje”, “plagosje të lehtë” apo edhe “tregtim të lëndëve narkotike”. Statistikat tregojnë se të miturit e përfshirë në ngjarje kriminale janë të moshës nga 14 deri në 18 vjeç. Nga një studim i bërë ka rezultuar që në 80 për qind të rasteve, të miturit e përfshirë në vepra penale janë fëmijë që vijnë nga familje me probleme sociale dhe ekonomike. r.d