Velierat pushtojnë Sarandën
SARANDE - Më shumë veliera turistike se çdo vit tjetër kanë prekur brigjet e Sarandës këtë verë. Ato janë bërë tashmë pjesë e turizmit. Jo pak, por gjashtë të tilla janë të pranishme prej ditësh në Gjirin e Sarandës, me turistë të ardhur kryesisht nga Italia fqinje. Këtë sezon veror në bregdetin e Sarandës vihen re të vijnë për të vizituar qytetin edhe anije të vogla të tipit veliera. Sipas inspektorit të kapitanerisë në Portin e Sarandës, Xhezo Telo, bëhet e ditur se, vetëm këto tre ditët e fundit në portin e qytetit kanë hedhur spirancat e tyre anije të vogla të llojit Veliera si, “Ëega”, me flamur italian me një person në bord, “Elissa – IV”, me flamur francez me 6 persona në bord, veliera “Gesar” po italiane me 4 persona ekuipazh, veliera “Antigona” me flamur italian me 2 persona ekuipazh, “Frutile” me flamur francez, me 4 persona në bord si dhe veliera “Frieda” me flamur anglez me 2 persona në bord. Velierat, që për këtë sezon veror janë parë shpesh në qytetin tonë, janë pjesë e turizmit komod. Janë mjete turistike private, të cilat mbajnë të bordin e tyre pak persona dhe shëtitja turistike bëhet më e këndshme.
Mëngjesin e së premtes në detin e Sarandës hodhi spirancën e vet trageti “Sea Dream”, me flamur bahamas. Në bordin e saj ndodheshin 98 turistë ditorë, të cilët erdhën nga Korfuzi për të vizituar qytetin e Sarandës dhe zonat turistike të saj, si Butrintin Antik, Syrin e Kaltër etj. sh.d