E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, 8-vjeçari thikë vëllait

 

LIBRAZHD/ ALDO KOZARIA

Agresiviteti i një fëmije 8 vjeç ka kaluar në përmasa të frikshme, duke goditur katër herë me thikë vëllain e tij vetëm tre vite më të madh. Ngjarja e rrallë ndodhi mbrëmjen e së enjtes në një familje në Librazhd. Fëmija me inicialet L.G. plagosi rëndë me armën e ftohtë vëllain e tij 11 vjeç, pas një grindjeje të momentit ndërmjet tyre për lodrat që ata kishin në përdorim bashkarisht. Pasi grindja nuk ishte qetësuar, vëllai më i vogël ka kaluar në kuzhinë, nga ku mori në sirtarë thikën e bukës. Ai e ka goditur 11-vjeçarin katër herë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i rrezikuar jetën. Ngjarja ndodhi sa hap e mbyll sytë. Prindërit, të gjendur të papërgatitur kanë mbetur të shtangur kur kanë parë djalin e tyre të gjakosur në shtëpi. Gjendja e fëmijës është përkeqësuar shumë shpejt, si pasojë e humbjes së madhe të gjakut. Të alarmuar prindërit e kanë çuar menjëherë në spitalin e Librazhdit. Bluzat e bardha ndërhynë në mënyrë urgjente, ku fillimisht mundësuan bllokimin e gjakderdhjes. Pasi i dhanë ndihmën e parë, mjekët vendosën ta dërgonin fëmijën në spitalin ushtarak, pasi gjendja e tij ishte mjaft e rëndë. Gjatë natës i mituri u transportua në Tiranë, nga ku mësohet se ai kishte marrë katër goditje prej të cilave ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën. Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e së enjtes ka shokuar jo vetëm prindërit, mjekët e policinë, por gjithë qytetin e Librazhdit. E trajtuar si një ngjarje e rrallë, madje në Librazhd nuk kishte pasur precedentë të mëparshëm, lajmi u bë shumë shpejt kryefjala e ditës. Askush nuk mund ta besonte se si një fëmijë 8 vjeç mund të qëllonte me thikë me forcën e një të rrituri dhe ti shkaktonte plagë që i rrezikonin jetën vëllait tre vite më të madh. Policia e Librazhdit ka mbetur e shtangur, kur fëmija është marrë në pyetje në praninë e një psikologu. Ndonëse i frikësuar dhe i penduar për atë që kishte ndodhur, mësohet se i mituri ka arritur të shpjegonte edhe motivin e asaj, çka kishte ndodhur në shtëpinë e tij. Ai ka shpjeguar se me të vëllain kishin qenë duke luajtur, kur më pas mes tyre kishte nisur një grindje për lodrat e përbashkëta. Mosmarrëveshjet mes dy vëllezërve janë neglizhuar nga ana e prindërve të tyre, të cilët nuk kanë ndërhyrë në kohë, duke mos e çuar nëpër mend atë që do të ndodhte. Policia e Librazhdit mori në pyetje edhe prindërit e dy të miturve, të cilët sqaruan ngjarjen që kishte ndodhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›