Punimet për Rrugën e Arbrit lënë pa drita 100 mijë banorë
PESHKOPI - Gjatë ditëve të fundit ka pasur ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike në rrethet Bulqizë e Dibër. Shkak për këtë janë bërë punimet në Rrugën e Arbrit. Punimet kanë shkaktuar ndërprerje të shumta, sidomos në fshatrat e Bulqizës. Zhvendosja e dy shtyllave të tensionit të lartë 110 kilovolt, të cilat ndodhen në fshatin Sofroçan të Komunës Zerqan lanë në errësirë për një kohë të gjatë mbi 100 mijë banorët e këtyre rretheve, madje konsumatorët as nuk u lajmëruan në lidhje me ndërprerjet e energjisë. Nëse për qytetet është treguar një farë kujdesi, zonat rurale vazhdojnë të jenë pa energji prej tre ditësh. OSSH-të Dibër e Bulqizë saktësojnë për mediat se ndërprerjet në fshatra do të vazhdojnë deri në lëvizjen totale të shtyllave të tensionit të lartë, që duhet të largohen për shkak të punimeve në rrugë. Banorët e Sofroçanit dhe Zall-Strikçanit thonë se prej muajsh vuajnë mungesën e energjisë, për shkak të dëmtimit të shtyllave të betonit në linjën 6 kilovolt. Pikërisht për shkak të problemeve të krijuara gjatë punimeve, në këtë rrugë është vënë në ndonjë rast në rrezik edhe jeta e udhëtarëve dhe shoferëve. h.p