E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers negocion me Topallin për ligjin e dosjeve

Ambasadori amerikan, takime informale me krerët e shtetit

Eljona Ballhysa
Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, ka zhvilluar dje në mesditë një takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Uidhers gjithashtu ka marrë pjesë edhe në një ceremoni të nënshkrimit të një marrëveshjeve në ambientet e Kryeministrisë, ku i pranishëm ka qenë dhe kryeministri Berisha, por nuk konfirmohet nëse kanë zhvilluar takim kokë më kokë. Burimet kanë bërë të ditur se gjatë takimit me kryeparlamentaren Topalli, Uidhers ka diskutuar rreth projektligjit për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist. Po kështu mësohet se palët kanë diskutuar edhe për ecurinë e reformës zgjedhore në mënyrë që të mos vonohen më tej ndryshimet në Kodin Zgjedhor, si një ndër reformat kyçe për vendin.
Ambasada
Ambasada Amerikane ka qenë ndër të parat prezenca ndërkombëtare që kanë reaguar për projektligjin e paraqitur nga PD-ja për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. SHBA-të kanë theksuar në deklaratën e tyre të bërë disa ditë më parë se projekti i PD-së ka shkelje të Kushtetutës në disa nene të tij. Madje, diplomatët amerikanë sugjeruan politikën shqiptare që drafti të diskutohet gjerësisht nga grupet e interesit dhe të marrë ekspertizën e ndërkombëtarëve. Biseda midis Uidhers dhe Topallit mësohet të jetë përqendruar në këtë linjë, pasi burime nga Kuvendi bënë të ditur se ditën e hënë pritet që të futet në kalendarin e punimeve të seancës parlamentare miratimi i draftit për hapjen e dosjeve. Ndërkohë që opozita dhe faktori ndërkombëtar janë shprehur kundër këtij projektligji. Mësohet se Uidhers, ashtu sikurse u theksua në deklaratën për shtyp të Ambasadës, i ka kërkuar kryetares së Kuvendit që të gjejë mundësinë që projektligji për hapjen e dosjeve të marrë ekspertizën ndërkombëtare, të diskutohet gjerësisht në mënyrë që të marrë konsensusin më të gjerë të politikës dhe mbështetjen e grupeve të interesit. Po kështu, një tjetër çështje që mësohet të ketë qenë objekt i bisedës midis palëve është dhe Kodi Zgjedhor. Seancën e fundit parlamentare opozita deklaroi se nuk do të marrë pjesë në seancë dhe nuk do të votojë asnjë ligj deri në miratimin e Kodit Zgjedhor. Madje, deputetët e PS-së akuzuan kryeministrin Berisha se ka bllokuar reformën zgjedhore me qëllim krijimin e diversionit nga kampi i majtë. Ndërkombëtarët shpeshherë kanë vënë theksin në domosdoshmërinë e miratimit sa më parë të këtij ligji të rëndësishëm në mënyrë që të mos krijohen vonesa që do të rrezikojnë procesin e ardhshëm zgjedhor.
Drafti
Projektligji i paraqitur nga maxhoranca për hapjen e dosjeve është kontestuar ashpër nga Partia Socialiste dhe nga kampi i majtë, të cilët e kanë cilësuar atë antikushtetues dhe që shkel të drejtat e njeriut. Ata kanë kërkuar shtyrjen e miratimit të tij në Kuvend dhe marrjen e një ekspertize ndërkombëtare. Nga ana tjetër, demokratët duken të vendosur për ta kaluar projektligjin në seancën e së hënës. Megjithatë, pas negociatave të Uidhers dhe deklaratave të faktorëve të tjerë ndërkombëtarë në Tiranë, ende nuk ka një vendim zyrtar të Kuvendit. Gjithçka pritet të sqarohet gjatë seancës së ditës së hënë.

20 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›