Rama: “Rizgjedhja e Berishës, fundi i gjeneratës sonë”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilëson tragjike mundësinë e rizgjedhjes së Sali Berishës në postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjatë një takimi të zhvilluar në Zall-Herr, Rama theksoi se në rast se ndodh një gjë e tillë, ky do të ishte fundi për gjeneratën e re politike. ““Katër vite të tjera me Sali Berishën si kryeministër do të jenë fundi për gjeneratën tonë”, - tha Rama në takimin e zhvilluar në Zall Herr. Ky takim zhvillohej në vazhdën e turit të kreut të PS-së, “Dialog me Shqipërinë”, ku ai është takuar me banorë të kësaj komune. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Rama është ndalur në problemet që duhet të përballojnë shqiptarët për shkak të keqqeverisjes. Kreu i PS-së renditi si probleme jetike, që kërkojnë zgjidhje, nivelin e lartë të papunësisë, mungesën e arsimimit, vështirësitë ekonomike dhe problemet me tokën bujqësore. Kreu i PS-së tha se politika duhet të jetë faktor i rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve dhe të halleve të qytetarëve. “Lufta e varfërisë është një arsye e përbashkët për të qenë bashkë socialistë e demokratë, qytetarë e qytetare të ndershëm, në çdo skaj të Shqipërisë, pa lejuar që politika e vjetër të vazhdojë të na mbajë të ndarë e të përçarë, ndërkohë që ne kemi plot arsye që ta shohim njëri-tjetrin si aleatë”, - tha Rama.
20 Dhjetor 2008