Fokus/ Rama u qan hallin borxhlinjve: “Jam si ju!”
Paraditen e djeshme e Edi Rama e shpenzoi duke folur për para, borxhe dhe taksa. Kreu i opozitës ishte në Malësi të Madhe për t’ju shpjeguar banorëve sesi mbijetohet në kushte të vështira. Në fakt, sipas deklaratës së tij të pasurisë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama figuron se është me borxhe, pa shtëpi dhe me 3 mijë euro në bankë, pavarësisht faktit se vishet me kostume të shtrenjta të qepura posaçërisht jashtë shtetit.
Përtej kësaj, Rama u tregoi malësoreve për eksperiencën personale të mbijetesës pa para dhe pa taksa dhe me marrjes borxh, edhe pse ndoshta është i vetmi njeri adult në vend që nuk ka paguar ndonjëherë taksa. Për shumë vite emigrant pa adresë në Spanjë dhe Francë, mysafir i miqve artistë.
Në Tiranë si kryetar bashkie beqar jetoi për ca kohë në kullën e Myslim Pezës për dhuratë miqësore të Dazh Pezës dhe kur u martuar për të tretën herë mori një shtëpi me qira, në pallatin e ndërtuar nga djemtë e një deputeteje të PS.
Megjithatë leksionet e mbijetesës pa para dhe pa taksa i replikoi edhe pasditen e djeshme në njësinë minibashkiake numër 7 në Tiranë, ku u fut në një ushqimore për të parë listat e marrjes së produkteve pa pagesë.
Me të dëgjuar ankesat, Rama u qau hallin shitësve me premtimin se do të heqë taksat sapo të vijë në pushtet. Këtë premtim të heqjes së taksave për biznesin e vogël, që është përgjysmuar vitin e fundit nga Bashkia Tiranë, pronarët e bizneseve të vogla e shikojnë me mosbesim.
Fakti që stimulimi i ekonomisë në recension nuk vjen nga heqja e taksave për biznesin, por krijimi i një klime të favorshme për biznesin duke liberalizuar tregun dhe luftuar informalitetin, nuk arrihet të perceptohet nga politika ekonomike e opozitës. Sekretari për programin në PS, Ilir Beqja që organizon takimet publike të kryetarin ruhet si dreqi incidenteve verbale dhe është me zemër në dorë sa herë Rama komunikon me biznesin, pasi e ka të qartë politikën që ndiqte Rama kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, i cili krijoi një sistem fiskal me 81 taksa dhe tatime.
Ndërkaq strategjia e ardhjes në pushtet e Partisë Socialiste kalon nëpërmjet mjegullnajave të mëdha. Asambleja e PS u reduktua në një mbledhje paranojake për të parë një video-program të regjistruar pa zë dhe të titruar nga frika e dekonspirimit të informacionit.
Në këtë ditë doli në pah mania e Ramës për të kontrolluar dhe censuruar deputetët në kundërshtim të plotë me të drejtën më elementare të njeriut për të komunikuar me mjete. Dhe kur ia bën këtë deputetëve të tij në opozitë merreni me mend se çfarë është në gjendje t’u bëjë qytetarëve kur të ketë më shumë pushtet. Kjo gjë e skualifikon edhe më tej liderin e opozitës si censor i fjalës së lirë. Mjerisht, tashmë nuk bëhet më fjalë për perceptim, por për bindje se PS është jo vetëm një e paaftë për të ndërmarrë një aksion politik, por dhe për dhe për faktin se brenda saj gjallojnë ca qeliza totalitariste.