E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mbështetje financiare projekteve të bashkisë në arsim dhe infrastrukturë”

25-10-2012 / Gazeta 55

Kryebashkiaku Basha takon kreun e OFID, Herbish

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi dje një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID-it), Suleiman Al-Herbish. Basha ka theksuar se zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë prioritetet kryesore të administratës së re. Një nga iniciativat e para, të ndërmarra ishte heqja dhe reduktimi i 60 taksave dhe tarifave. Kjo masë dhe lufta kundër informalitetit kanë bërë të mundur që në harkun kohor të një viti, në Bashkinë e Tiranës u krijuan 6880 vende pune më shumë se sa viti paraardhës dhe u hapën dhe regjistruan 5 000 kompani të vogla dhe të mesme.
Në këtë takim Basha ka prezantuar edhe projektet e zhvillimit të Tiranës, siç është Plani i përgjithshëm Rregullues, pjesë e të cilit është dhe bulevardi i ri dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, projekti për terminalin e ri multimodal dhe tramin. Kryebashkiaku Basha ka theksuar se në muajin nëntor, studio arkitekturore “Grimshaw” do të sjellë projektin e detajuar të bulevardit të ri dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës, zbatimi i të cilit do të nisë në pranverën e vitit të ardhshëm. Një tjetër projekt i rëndësishëm është ai për terminalin e ri multimodal.
Me mbështetjen e BERZH, ka nisur studimi i fizibilitetit dhe përgatitja e termave të referencës. Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar ka vlerësuar vizionin e kryebashkiakut Basha dhe orientimin e saktë të prioriteteve për zhvillimin e Tiranës. Këtë e dëshmon edhe aftësia për të thithur fonde ndërkombëtare dhe për të zbatuar projekte të suksesshme.
Kryetari i Bashkisë ka kërkuar ndihmën e OFID-it, për të mbështetur disa projekte të Bashkisë, ku ndër më kryesoret Basha ka renditur ndërtimin e objekteve arsimore, shkollave, kopshteve e çerdheve. Në Planin e ri Urbanistik parashikohen të ndërtohen 102 çerdhe, 55 kopshte, 24 shkolla 9-vjeçare dhe 6 shkolla të mesme. Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID-it), Suleiman Al-Herbish është shprehur i gatshëm për të ndihmuar financiarisht ndërtimin e disa objekteve arsimore në Bashkinë e Tiranës.
Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha ka parashtruar edhe disa projekte të tjera, që mund të mbështeten me financime nga OFID, siç është Parku i Liqenit dhe Kopshti Zoologjik, menaxhimin e mbetjeve dhe rikualifikimin urban të disa zonave në Tiranë. Drejtuesit e Fondit të OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar u shprehën të gatshëm, për të shqyrtuar kërkesat e kryebashkiakut Basha dhe për të parë mundësitë e financimit të tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›