E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Bashkia e Tiranës Rama vazhdon talljen me qytetarët – bllokon trafikun në bulevardin qendror të kryeqytetit

13-12-2010 / Elda Tomani

Mjafton të hedhësh sytë pak çaste në qendrën e Tiranës dhe do të kuptosh së ajo s’të ngjason aspak me qendrën e një kryeqyteti evropian por të ngjall një ndjenjë ndjellakeqe dhe mërzie. Çdo qytetar i Tiranës apo dhe i qyteteve të tjera të cilët vizitojnë Tiranën pyesin veten: - Si është e mundur që kryeqyteti i Shqipërisë është shndërruar në një gërmadhë dhe në një arenë të mbushur me betoniere, më gardhe rrethuese, me tabela kudo që njoftojnë se në këtë zonë po punohet, me pirgje të mëdha dheu, dhe me gropa të mëdha pafund. Është e pamundur të shkosh në qendër të Tiranës pasi të gjitha rrugët që të çojnë drejt saj janë të bllokuara nga njeriu që i ka sjellë këtë fatkeqësi kryeqytetit tonë, nga ai cili ka shumë pseudonime për shkak të kauzave të tilla që u ka sjellë qytetarëve të Tiranës të cilët vuajnë çdo ditë qarkullimin e lire në Tiranë. Si një kalimtar i thjeshtë ashtu edhe një individ që qarkullon nëpër rrugët e kryeqytetit me automjetin e tij i duhet të përballojë tmerrin që u servir kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama. Çdo ditë e me tepër ky njeri i shmanget përgjegjësisë për kauzën që i ka shkaktuar e vazhdon t’i shkaktojë kryeqytetit. Punimet që bashkia e Tiranës i ka nisur që në  muajt e parë të verës vazhdojnë ende dhe deri me tani qytetarët e Tiranës nuk kanë parë asnjë rezultat përvese këto të quajtura punime, ne qytetarët e Tiranës nuk po i shohim në asnjë rrugë të saj, tashmë të kthyer në një ferr për kryeqytetasit. Por kjo situatë as që i bën përshtypje kryetarit të bashkisë së Tiranës Edi Ramës. Duket sikur ai as që preokupohet sadopak për këta qytetarë që po përjetojnë tmerrin e trafikut çdo ditë,ku automjete pa fund bllokohen për orë të tëra nëpër ato pak rrugë të kalueshme në kryeqytet që të çojnë drejt qendrës së Tiranës. Punimet në sheshin “Skënderbej”, kanë muaj që kanë filluar por duket se s’do kenë mbarim ndonjëherë në rast se nuk do të ndërhyje qeveria, pasi e lëne në duart e Ramës kjo situatë s’do të na shpjerë gjëkundi përvese do të na zhysë në humnerat që ka krijuar Rama në qendër të kryeqytetit. Bllokimi i qarkullimit në sheshin “Skenderbej” shkakton çdo ditë e me tepër një trafik të rënduar që bëhet shkak dhe për bllokimet e akseve të tjera rrugore. Tashme qarkullimi në këtë shesh është bllokuar tërësisht. Nga dita në ditë drejtuesit e automjeteve, po hasen me bllokim të akseve rrugore të cilat kanë ndryshuar tërësisht mënyrën e drejtimit të lëvizjes së automjeteve në Tiranë. Ndërkohë, bashkia e Tiranës, për bllokimin e sheshit “Skënderbej”, nuk ka nxjerrë asnjë njoftim për qytetarët, të cilëve ditën e djeshme  iu është dashur për më shumë se një orë, madje dhe më shumë që të dalin në akset e unazës, por edhe akset e unazës  kanë qenë të bllokuara nga trafiku, sa dhe policia rrugore me vështirësi ka arritur të zhbllokojë situatën  e krijuar si rezultat i neglizhencës së kryebashkiakut të Tiranës dhe njëkohësisht kreut të socialistëve Edi Ramës. Urojmë që kauza e rrugëve dhe e trafikut të shkaktuara nga të ashtuquajturat punime të bashkisë së kryeqytetit të marrin fund sa më parë në mënyrë që dhe lëvizja e lire e qytetarëve të Tiranës dhe të automjeteve të normalizohet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›