E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olli: Do dëmshpërblejmë banorët e prekur nga përmbytjet

13-12-2010 / Gazeta 55

Kreu i Emergjencave Civile konfirmon gatishmërinë e Shtabit të Emergjencave në zonat e përmbytura në Shkodër


Shtabi i Emergjencave Civile do vazhdojë të jetë në gatishmëri të plotë në zonat e përmbytura në Shkodër, duke garantuar vazhdimësinë e operacioneve në ndihmë të banorëve. Drejtori i Emergjencave, Alfred Olli deklaroi dje se qeveria do dëmshpërblejë të gjitha dëmet e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore. “Qeveria sigurisht që do dëmshpërblejë në një kohë shumë të shpejtë, dëmin e banorëve sipas përmasave të prekura nga përmbytjet” - deklaroi Olli. Duke iu referuar situatës pas 10 ditësh përmbytje, kreu i Emergjencave, vuri në dukje se largimi i ujërave gjatë ditëve të fundit ka bërë të mundur përmirësimin e ndjeshëm të situatës. “Situata është e ndjeshme e përmirësuar. Kemi një tërheqje të konsiderueshme të ujit. Do të përmendja disa komuna, ndër to komuna e Gurit të Zi, e cila tashmë është e çliruar nga uji. Përsëri në terren është vazhdimi i operacioneve në shkallë të gjerë për furnizimin e popullsisë me ushqim, ujë të pijshëm dhe koncentrat të gjësë së gjallë. Kemi një organizim korrekt të ushtrisë, policisë së shtetit, forcave të NATO-s, pra një mobilizim jashtëzakonisht të madh për t’i ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura. Gjithçka nga shtabi i Emergjencave është e garantuar. Të gjitha nevojat e popullsisë do të plotësohen nga ana jonë në mënyrë të shkëlqyer”- tha Olli. Sipas tij, komuna e Dajçit vazhdon të mbetet komuna më e prekur nga përmbytjet. “Është thuajse 75% e kësaj komune nën pushtetin e ujit. Edhe në komunën e Bushatit dhe Anës së Malit, kryesisht në fshatin Obot, i cili është thuajse është i bllokuar, operacionet i vazhdojmë me varka dhe automjete të larta të ushtrisë. Edhe komuna e Velipojës është e bllokuar me rrugë tokësore dhe operacionet po kryhen përmes ajrit”- vuri në dukje Olli. Drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, theksoi si thelbësore mbajtjen me furnizim me ujë të pijshëm dhe ushqim të banorëve të hartës së zonës së përmbytur si dhe koncentrat për bagëtitë e këtyre zonave. Gjithashtu, sipas tij, Shtabi i Emergjencave ka të garantuar vijimin e operacioneve në ndihmë të banorëve të përmbytur, duke shtuar se i gjithë kabineti i qeverisë “Berisha”, ndodhet i dislokuar në veri-perëndim. “Ne do të vazhdojmë të jemi këtu, të gjithë ministrat si Lulzim Basha, Ilir Meta, Petrit Vasili, Genc Ruli apo dhe Myqerem Tafaj, janë të gjithë këtu, raportojnë, marrin informacione të përbashkëta. Është një cikël i përcaktuar, i cili operon në të gjithë 24-orëshin e shërbimit” - tha Olli. Ndërkaq, duke ditur se për ditët në vijim s’do ketë reshje shiu, gjë të ndihmon në tërheqjen e ujërave, Olli konstatoi se situatën e bëjnë emergjente edhe ulja e ndjeshme e temperaturave, të cilat sigurisht janë një tjetër problem për banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›