Fokus/E majta kthehet nga pushimet, e çmontuar
Qeveria që vendosi të pushojë pa bërë asnjë ditë punë, për t’i shpëtuar sherrit që plasi brenda kur u zyrtarizuan emrat e kabinetit, rrezikon të kthehet nga heshtja letargjike e çmontuar tërësisht. Përpos përplasjes së brendshme që krijoi edhe pakënaqësi në radhët e xhaketave të vjetrave të PS, teksa disa ish të pakënaqur me Edi Ramën, u rikthyen sërish qejfmbetës sepse torta e pushtetit s’ishte për ta, por grupin e klientelës. Jo vetëm Pandeli Majko dhe Gramoz Ruçi janë të pakënaqurit e qeverisë “Rama”, por çudia është Ben Blushi. Ky i fundit s’e ka për herë të parë që krijon zemërata në raportet me kreun e PS. Një gjë të tillë e bëri në 2009-ën, kur ishte ndër të vetmit nga radhët e socialistëve që kërkoi dorëheqjen e Ramës pas humbjes së zgjedhjeve. Protesta dhe zemërimi i tij shkoi deri në krijimin e LMN-së, por që shumë shpejt “dezertoi” nga mendimi ndryshe, për tu rekrutuar sërish nga Edi Rama. Flirtimi nuk zgjati përtej pritshmërive të një partneriteti korrekt me kryetarin e PS, pasi profili i tij prej politikani nuk shkon deri në këtë dimension të politikës moderne. Njeriu i sherreve dhe konflikteve është i destinuar të notojë në vorbullën e krizës dhe ngërçit që vetëprodhon. Ndaj, s’është çudi situata e krijuar brenda PS-së e rrethuar nga përplasjet e klaneve, por ajo që s’kuptohet është sjellja fëminore e një politikani të sprovuar dhe kontribute në PS, ish ministër, i cili me të drejtë meriton nofkën qejfmbetës part – time. Për Ben Blushin normat e politikës fillojnë dhe mbarojnë me një buzëqeshje apo shtrëngim duarsh me lidershipin, pa u shqetësuar për pasojat e përsëritura që sjell kjo. Dhe si gjithnjë Blushi ka të njëjtin fat dhe sërish do mbetet qejfmbetës. Krahas përplasjes së brendshme në PS, një tjetër faktor çmontues i të majtës pas pushimeve, është edhe braktisja e aleatëve. Rama ata s’i sheh si partnerë në qeverisjen e ardhshme, as në nivelet e para dhe të dyta, por as në ato të treta. Bashkëqeverisja për të është koncept i panjohur dhe kësisoj aleatët me të cilët ai fitoi zgjedhjet në 23 qershor, nuk janë pjesë e racioni të pushtetit. Atyre u është treguar dera si të panevojshëm. Gjithsesi, dy javët në vijim mbeten përcaktuese për aksionet e aleatëve, të cilët me të drejtë kërkojnë një “vend nderi”, sipas marrëveshjes parazgjedhore me PS.