Fokus/Letër e Edi Ramës në NATO (për dijeni Stalinit)
Në mënyrë të paprecedentë, një parti politike e majtë i një vendi anëtar i NATO-s i shkruan një letër Sekretarit të Përgjithshëm, Anders Fogh Rassmusen. Partia Socialiste është shtyrë në kufij të pa imagjinuar më parë, pas letrës drejtuar kancelarit austriak për të denoncuar investimet e tyre në Shqipëri, kur kësaj here ka dërguar një letër denoncuese në adresë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Bruksel. I denoncuari me letër-porosi është Arben Imami, ministër i Mbrojtjes, i një vendi anëtar i Aleancës më të madhe ushtarake të të gjitha kohërave, NATO.
Letra e hapur sekretarit Rasmussen është për të denoncuar, sipas tyre, moslejimin e anëtarëve të opozitës së komisionit të sigurisë kombëtare të kontrollojnë ministrinë e Mbrojtjes. Nga ana e saj, ministria e Mbrojtjes ka theksuar se ky kontroll është pamundur të realizohet përderisa kërkohet të bëhet pa marrë parasysh procedurat e komisioneve hetimore parlamentare për çështjet e Sigurisë... edhe pse duhet thënë se kjo letër shkruhet prej Partisë që protestoi kundër hyrjes në NATO, në 2009.
Megjithatë kjo letër e ideuar prej Edi Ramës është nënshkruar nga Pirro Lutaj, një ish-oficer i këmbësorisë ushtarake që është shkolluar me manualet me përmbajtje të ushtrive të Traktatin e Varshavës dhe jo të NATO-s. Urrjetja e tyre është kthyer në një efekt patologjike për shkak të shkundjes së furrikut të tyre ideologjik në ushtri nga reformat e suksesshme të ministri Imami.
Afërmendsh Pirro Lutaj ngre shqetësimin e Edi Ramës për kundërshtimin, sipas tyre, pa asnjë arsye racionale të Ministrisë së Mbrojtjes për mbikëqyrje parlamentare. Pirro Lutaj shkruan në letër se një grup pune i përbërë nga antarë të opozitës në Komisionin e Sigurisë “tentoi të kryej një mbikqyrje parlamentare te aktivitetit te Ministrisë se Mbrojtjes. Fatkeqësisht, deri tani kryerja e ketij kontrolli ka qene e pamundur”. Sigurisht e pati të pamundur ish-komandanti i policisë ushtarake Pirro Lutaj, që procedurat e hyrjes në ministrinë e Mbrojtjes dhe repartet ushtarake, i njeh mirë, edhe pse i ndërsyer prej Ramës kërkon të shkelë jo vetëm parimet e detyrimeve të uniformës, por dhe nenet e Kushtetutës së Shqipërisë.
Sidoqoftë një gjë është e vërtetë, Partia Socialiste ka një dashuri të hershme me letra e dërguar jashtë shtetit. Mjafton të kujtosh nxitimin që pati sekretar për çështjet e rinisë në PS, Erjon Veliaj që dërgoi një letër në adresë së europarlamentares Tanja Fajon dhe gjithë kancelarive europiane për çështjen e dashnores së kryebashkiakut të Kavajës, e njohur si çështja “Griselda”. Një çështje e stisur rrëmbimi së një gruaje shtatzënë dhe nxjerrje fëmije nga barku për të cilën, sipas Velisë, gjurmët mund të ishin deri te kundërshtarët politikë.
Zanafilla e letrave në adresa të gabuara vjen prej mëkatit fillestar të Enver Hoxhës, i cili teksa i drejtonte letër popullit, për dijeni i adresonte udhëheqësit shpirtëror Stalinit. Kësisoj kjo e metë e nomenklaturës së Partisë Komuniste është transferuar në Partinë Socialiste, si trashëgimtarja e të gjitha huqeve.