E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Malaj: Përjashtimi i Islamit, vendim i mjerueshëm

28-12-2011 / Gazeta 55

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste Arben Malaj e cilëson të gabuar përjashtimin e deputetit Kastriot Islami nga radhët e PS. Malaj e quajti këtë si një vendim të mjerueshëm, pasi z.Islami është një nga themeluesit dhe kontribuuesit e modernizimit të PS. “Unë e kam thënë dhe e them se ky vendim ishte i trishtueshëm. Nga pikëpamja politike është vendimi më i gabuar që është ndërmarrë nga PS, që nga koha kur unë jam pjesë e kësaj force politike” - u shpreh deputeti socialist, Arben Malaj.
Ai tha se shumë prej figurave historike të PS, janë lënë mënjanë nga lidershipi socialist. Këtu ai kujtoi ish presidentin Rexhep Meidani, ish-kryetarin e PS-së për Tiranën, Musa Ulqini apo edhe ish sekretaren për Burimet Njerëzore në PS, Edlira Haxhiymeri. “PS duhet të bëjë më mirë përfaqësimin e vlerave të vërteta politike. Shqiptarët duan një model ndryshe dhe një qeverisje të ardhshme ndryshe. Unë po i përmbahem faktit që, nëse ne duam të fitojmë duhet të zgjerohemi. Të zgjerohemi do të thotë të jemi një koalicion kompakt dhe jo të influencuar nga klientelizmi dhe mos respektimi i meritokracisë” - tha Malaj. Gjithashtu, z.Malaj tha se mes PS dhe LSI s’ka asnjë mundësi bashkëpunimi, pasi hendeku ndarës mes këtyre dy forcave politike është shumë i theksuar, pasi sipas tij, LSI është një forcë politike e formuar nga pakënaqësitë e lindura në PS. Përsa i takon kandidaturës së vetë shpallur nga Fatos Nano për President të ardhshëm, Malaj tha se nëse ish kryesocialisti do zyrtarizohet si kandidaturë, PS duhet të shqyrtojë opsionin e mbështetjes së kësaj kandidature. “PS nuk duhet të përsërisë gabimet e së shkuarës. Sepse janë këto gabime që kanë kushtëzuar funksionimin politik të PS. Në momentin e duhur PS duhet të mbajë një qëndrim zyrtar për kandidaturën e z.Nano”- tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›