Rritja ekonomike e Shqipërisë, 3,9 përqind

Në përfundim të 2011-s, statistika e rritjes ekonomike stabilizohet pranë 4 përqindëshit, ndërkohë që Shqipëria klasifikohet prej agjencive ndërkombëtare “Moody-s” dhe “Standard&Poors” si vendi me borxhin e jashtëm më të ulët në rajon. Për 2012-n, planifikimi për rritjen ekonomike pritet të jetë 4.3%
“Shqipëria e përballoi me sukses krizën ekonomike që “izoloi” mbarë Evropën”. Kështu u shpreh dje ministri i Financave, Ridvan Bode gjatë analizës vjetore të ekonomisë shqiptare. Sipas Bodes, ekonomia shqiptare ka marrë nota pozitive dhe se në bazë të raporteve dhe vlerësimeve afatmesme të kompanive botërore, Standard & Poor’s dhe Moody’s, ekonomia shqiptare është e qëndrueshme dhe me potencial zhvillues, krejt ndryshe nga ekonomitë e vendeve të rajonit apo edhe më gjerë të vendeve të eurozonës. “Ekonomia shqiptare përballë krizës botërore lulëzoi me rritje ekonomike dhe kjo falë reformave mikse të ndërmarra kujdesshëm nga qeveria. Ekonomia shqiptare është vlerësuar edhe nga dy agjencitë e rëndësishme Moody’s dhe S&P, të cilat në vlerësim afatmesëm e cilësuan si të qëndrueshme ekonominë shqiptare. Ekonomia shqiptare renditet në nivelin B1 për Moody’s dhe B+ për Standard & Poor’s, vlerësim ky për një ekonomi stabël dhe të qëndrueshme. Vlerësimi për një ekonomi stabël gjatë vitit 2011-të, vjen në një kohë kur agjencitë kanë deklaruar se ekonomitë e vendeve të rajonit janë stabël negative dhe disa prej tyre edhe me një degradim nga viti i mëparshëm”- u shpreh kreu i Financave, Bode. Ai nënvizoi se “edhe institucionet ndërkombëtare financiare si FMN kanë vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare”. “Reformat e qeverisë kanë mundësuar një rritje më të lartë të ekonomisë shqiptare nga vendet e rajonit dhe më të lartë edhe nga disa vende të Europës. Kjo analizë vlerësoi se në Shqipëri borxhi i jashtëm është rritur me 7 pikë përqindje, duke qenë më i ulëti në të gjithë rajonin. Vlerësimi që bënë ekspertët e FMN-së ishte se në Shqipëri autoritetet përdorën mekanizma të veçanta për të zbutur krizën në vend. Shqipëria ishte i vetmi vend që zbatoi stimulin fiskal, ndërsa vendi përfitoi nga niveli i ulët i shërbimit të borxhit”- tha Bode. Për vitin e ardhshëm, shefi i Financave deklaroi se rritja ekonomike do të jetë 4.3 për qind, që është një parashikim konservator, ndërsa 2011-a do mbyllet me rritje ekonomike prej 3.9%. “Rritja ekonomike për këtë vit u shënua në masën 3.9%, ndërsa në vitin 2012 parashikohet të jetë 4.3%. Ritmet e ulëta të rritjes ekonomike, po shkaktohen nga ndikimi i krizës”- tha Bode. Sipas Bodes, duke patur parasysh se buxheti i vitit 2012 është konservator, la të hapur mundësinë për rishikim, por, siç theksoi ai, “pozitiv gjatë muajit korrik”. “Edhe pse kemi qenë skeptikë, në mbylljen e vitit 2011-të konform parametrave të autorizuara në korrik, nisur nga 2%-shi i mos realizimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit, mund të them se buxheti i vitit 2011-të do respektojë me përpikmëri autorizimin e parlamentit, për të mos tejkaluar huamarrjen e brendshme, deficitin buxhetor, përmbi shumën e autorizuar prej 3.5% të PBB, që e përkthyer në shifra është 48 miliardë lekë”- tha më tej Bode.