E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Padania ekziston, por nuk i përket Bosit

03-11-2011 / Nga Giorgio Bocca

“Nuk ka Padani”, thotë presidenti Napolitano dhe nacionalistët italianë rrahin shuplakat. Gjithsesi, më në fund dikush ia theu hundën këtij Bosit. Mirëpo, çfarë do të thotë që Padania nuk ekziston? Po ajo pllaja që Napoleoni e përdorte për mësymje kundër austriakëve, në Marengo? Nëse gjendet diçka që në Itali nuk ka vend për dyshim, përtej pështjellimeve gjeografike e gjuhësore, është vetë lugina e lumit Po që njihet si Padania, e cila shtrihet nga Piemonti në Adriatik dhe përshkohet nga lumi më i gjatë në vend. Njëra nga zonat më të pasura të Italisë dhe Evropës, ndaj së cilës janë mrekulluar që nga mbreti i Francës e deri te perandorët e Perandorisë Romake që donin me ngulm ta kishin të tyren. Dhe pastaj të themi që nuk ka Padani? Ka dhe nuk e luan topi, veçse nuk i përket “Lidhjes së Veriut” - ashtu siç ia rrek mendja Umberto Bosit. Edhe nëse do të mbaheshin zgjedhje vetëm në Padania, votat që do të arkëtoheshin nga “Lega Nord”-i do të silleshin aty tek 15%-shi, e shumta 20%. Qartësisht në pakicë me votat që do të mblidheshin në dobi të Italisë. Vegimi me të cilin Bosi deri më tani ia ka dalë mbanë të bindë opinionin publik se “Lega” mund ta ndante Padaninë nga Italia kur t’ia donte qejfi, do të shkaktonte veçse një kërleshje civile të pakuptimtë e të shpërpjesëtuar, ngaqë forcat dhe fuqia e shtetit janë të shumëfishta. Qysh në zanafillë të karrierës së tij - kur nisi të predikonte ndarjen - ai ka luajtur gjithmonë me letrat e blofit, duke e qenë i bindur se turfullima e tij do të tolerohej e shpërblehej. Politika e Umberto Bosit ka qenë gjithmonë një përkundje mes ndarjes së pamundshme - por shqetësuese për pasojat e ringjalljes së ndasive kombëtare - dhe përdorimit si ligjërim zgjedhor për të përfituar sa më shumë pushtet e para na rrafsh lokal. Kjo ishte një politikë që mbështetej të frika dhe pasiguria që kishte ngërthyer opinionin publik. Edhe personalisht, pas qindra intervistash që i kam marrë, i shtroja pyetjen vetes: Po ky demagog, si i bën hesapet vallë? Duke u mbështetur te logjika e ftohtë sipas së cilës një shtetaruc i Veriut ngjan më tepër me një ogurzi apo të rrjedhur nga trutë, ma priti mendja se do të gjeja qetësinë e munguar, por përkundrazi, u kredha edhe më thellë një një gjendje të sikletshme, pasi prirja e italianëve kah trushkarët nuk mund të shpërfillet aq lehtë. Ç’mund të thuhet për gazetën e përjavshme e të bujshme të Guglielmo Giannini-t “L’uomo qualunque” (me pas edhe partia politike me të njëjtën emërtesë, e cila në vitin 1946 fitoi 5.3% të votave dhe 30 përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të Italisë)? Agjë më shumë se një dalldi e një gazetari mitoman, e një Napoleoni, për të qenë më i saktë. E megjithatë, kishte qindra e mijëra që i shkonin pas dhe gazeta e tij shitej në mënyrë marramendëse (rreth 800 mijë kopje). Kërcënimet e Bosit gjejnë hapësira të lira për shkak të mosqeverisjes së italianëve, si dhe për shkak të padijes së tyre për çështje të ekonomisë politike. Programin ekonomik të Padanias bosiane nuk ta zë syri askund. Ekziston vetëm industria e Veriut, një nga më të zhvilluarat e Evropës, të cilën Bosi e mat me kutin e vet: unë po e marr të tërën për vete, kështu problemi zgjidhet njëherë e mirë. Përshkrimi që ai bënte kohë më parë luftës së tij politike ndaj Kraksit ishte dalldisje fundekrye. Një rrëfenjë tipike si ajo e mitologjisë gjermanike, ku “përbindëshi” Kraksi që vinte nga Shqipëria kërleshej me “heroin legjendar, Alberto di Giussano”, aq trim e i fuqishëm sa që nuk i dridhej qerpiku të ndeshej me përbindëshin, duke e pritur aty buzë liqenit padanas, ku edhe e vriste me shpatën e tij magjike. Pikërisht atë ditë Bosi ishte vetvetja, i ndërkryer sa nuk njihte cak. Kështu është njeriu. Por çudia qëndron te fakti që bashkëqytetarët e tij, por edhe ata të zonave malore që e qarkojnë, e shesin për kokë me peshë dhe mendjehollë, si një kryetar politik kokë më vete; e që në mos për gjithçka, të paktën për shumëçka i duhet hapur rrugë: si veprimeve të padenja ashtu edhe sharjeve e fyerjeve kundrejt rivalëve. Një personazh që të shkakton sëkëlldi: ai, familja e tij dhe ata që i vijnë rrotull, të cilët nuk njohin as rregulla e as mirësjellje; e ku mund të kalohet lehtë nga loja me fjalët e politikës, te gjestikulacioni i shëmtuar i gishtit tregues të ngritur lart, nga zakonet krahinore te sjelljet ministrore, tamam si aktorët e trupës teatrore dialektore “I Legnanesi” (themeluar nga Felice Musazzi, viti 1949), tërheqës por plebej. Një shpalosje e çuditshme e funksionimit të politikës italiane, çka kujton disi arrogancën e togave fashiste.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›