Fokus/Rikthimi i duartrokitur i patriotizmit
Dy ngjarjet historike që i mbushën sytë me lot dhe sedrën plot shqiptarëve padyshim kanë qenë hyrja në aleancën e Nato-s dhe vendimi për liberalizimin e vizave si parapërgatitje e hyrjes me të drejta të plota në BE. Natyrisht këto dy ngjarje me përmasa largpamëse kanë bërë që të shfaqet hapur atdhedashuria. Autostrada patriotike për të arritur në këtë dy ngjarje shumë të rëndësishme për të pritshmen e vendit duhet thënë se kanë qenë plot kurthe dhe atentate, nganjëherë krejt të pakuptimta në rrafshin e qëndrimeve politike opozitare.
Në kohëra të turbullta, flamurin e patriotizmit nxitojnë ta rrëmbejnë edhe manipulatorët e shpirtrave të hutuar dhe çdo batakçi fare kollaj mund të marrë pozat e patriotit. Jo me kot kanë thënë që patriotizmi/nacionalizmi është streha e fundit e politikanëve mashtrues dhe batakçinj. Këtu është rasti të përmendim njërin prej tyre, Ramiz Alinë, i cili në promovimin e kujtimeve të dëshpëruara “Ramiz Alia...Jeta Ime” na dëften se ia bëri këtë shërbim partisë “për të rehabilituar të mirat e komunizmit” sepse - sipas sutakut të tij mefistotelik - po sundon nihilizmi ndaj arritjeve të së kaluarës, injorohen figurat e Luftës dhe të Zhvillimit”, pra patriotët komunistë të NC. Ramiz Alia dhe mediet që i shërbejnë me dy kuptime të nëndheshme, duke bërë apologji të komunizmit kanë sakatuar idenë e atdhedashurisë, me helmin e përgatitur në doktrina të vjetra jakobine sajojnë kauza të paqena me Internacionale soc-komuniste, me cilësime se “proletarët nuk kanë atdhe”. Njerëzit e sojit të Ramiz Alisë e dinë shumë mirë, por - ne - ia shpjegojmë përsëri se në atë kohë mjerisht Udhëheqësi dhe Parti-Enver ishte Atdheu dhe prona, ishte shtëpia dhe trashëgimia, ishte kultura dhe, të gjithë ishim të shtetëzuar deri në dimensionet shpirtërore, duke i bjerrë konceptet e mirëfillta mbi Atdheun dhe pronën.
Gjithsesi në atë kohë askush nuk mendonte se Atdheu duhet konsideruar si një Shtëpi e madhe dhe pronë e të gjithëve. Askush nuk kishte shtëpi nën pronësi dhe shteti komunist ishte pronar i gjithçkaje, deri i martesave të cilat nuk mund të zgjidheshin pa lejen e Sekretarit të Partisë! Padyshim që kjo eksperiencë e gjatë dhe e dhunshme do të kishte rezultatet e saj negative karshi dimensionit njerëzor të Atdhedashurisë së shtetasve, të cilët realizuan jo rastësisht në vitet 1990 eksodin më të paimagjinueshëm duke krijuar edhe karikaturën e mohimit të vetë prejardhjes.
Mirëpo në konceptin me te thjeshtëzuar - dhe kjo na intereson më shumë sot - patrioti është edhe ai njeriu i thjeshtë që punon token e tij, edukon fëmijët me dashurinë për familjen, gjuhën shqipe, traditat, zakonet e pronën.
Afërmendsh sot kur qindra mijëra shqiptarë punojnë dhe jetojnë jashtë Atdheut, duke u mësuar fëmijëve të lindur Andej gjuhën shqipe, duke i edukuar me dashurinë për token e të parëve, duke mbajtur flamurin kombëtar aty në banesën e tyre dhe duke e valëvitur atë edhe pas një ndeshjeje futbolli të fituar (pa kaluar në manifestime nacionaliste!!) sigurisht që bëjnë diçka si atdhetarë dhe të frymëzuar nga atdhedashuria.
Sidoqoftë patriotizmi është ndjenjë komplekse subjektive dhe orientim me vlerë, i cili përfshin ndjenjat e dashurisë ndaj atdheut, armiqësisë ndaj të gjithë atyre që përpiqen ta rrezikojnë atdheun dhe gatishmërinë e vendosur për ta mbrojtur vendin e dashur a shtetin si një nga vlerat sublime.
Por nuk duhet të harrojmë se atdhedashuria është sesi njerëzit që jetojnë në Shqipëri trajtojnë vendin e tyre, dhe njëri-tjetrin. Ky është thelbi i çdo gjëje.
Sipas gjurmimeve të historianit të kulturës J. Huizinga, fjala patriotizëm paraqitet në shekullin XVIII, bile vetë shprehja patriot, e cila vjen nga kuptimi burimor i bashkëvendësit dhe atdhetarit (patrie amans) i cili e do vendlindjen e tij, është shumë më e vjetër dhe e ka prejardhjen që nga lashtësia.
Gjithashtu dallon edhe nga nacionalizmi, sepse nënkupton ndjenjat e përkushtimit dhe dashurisë ndaj atdheut me të gjithë qytetarët e tij (të përkatësive të ndryshme etnike), e jo ekskluzivisht dashurinë ndaj kombit të vet. Ushqimi me ndenjen e patriotizmit paraqet një nga detyrat më të rëndësishme të edukimit shoqëror dhe familjar.
Historia tregon se perandorët romakë si Cezari, Augusti a Diokleziani kanë pasur njerëz të përgatitur dhe të shkolluar enkas të cilët kanë pasur për detyrë që popullatën e territoreve të okupuara ta ushqejnë me patriotizëm (dashuri) ndaj Romës, me qëllim të rekrutimit më të lehtë dhe ngritjes së aftësisë luftarake të rekrutëve të rinj.
Në kohen tonë të globalizimit kulturor është evident rreziku i humbjes së disa vlerave të shëndosha tradicionale e kombëtare që na karakterizojnë përballë kulturave dominuese botërore.