Rama dhe Rao, dy maoistët e fundit që tentojnë revolucionin kulturor kinez
Pas miqësive të pathyeshme dhe të pavdekshme me jugosllavët dhe sovjetikët, miqësia shqiptaro-kineze ishte e treta e këtij lloji por jo e fundit, e thënë kjo sipas terminologjisë së regjimit të shkuar. Në fakt, kjo miqësi ka qenë ca më e gjere, saqë pa gabuar shumë mund të flitet, për një tjetër miqësi shqiptaro-aziatike. Dy janë personazhet që kanë telepati dhe korrespondencë maoiste për të provuar shansin e fundit për një revolucion tjetër kulturor. I pari është Edi Rama, lider i Partisë Socialiste shqiptare. I dyti është Ganapati Rao, lider i maoistëve indianë, i ardhur në vëmendje të opinionit publik botëror për sabotazhet me viktima në hekurudhat e Bengalës, në Indi. Të dy sëbashku, pretendojnë - natyrisht me trajta të ndryshme - të bëjnë revolucion kulturor sipas modelit të Mao Tse Tung.
Asokohe, prishja me revizionistet sovjetikë dhe miqësia e madhe dhe e pathyeshme me kinezët e Maos, u trumbetuan nën vellon gjoja parimore të mbrojtjes se marksizëm-leninizmit të kulluar, ndërsa e vërteta ishte krejt tjetër. Gjithashtu ashtu si miqësitë me jugosllavët e rusët, edhe miqësia vëllazërore me kinezet pati anën e saj qesharake: veç të kujtoni në këtë rast vargjet: “Dy luanë ka sot bota/Një Azia, një Evropa”, apo atë libërthin e kuq me citatet e Mao Ce Dunit.
Sidoqoftë imitimi, dhe për më keq tejkalimi i kinezëve përgjatë revolucionit kulturor, bëri që Shqipëria të përjetonte kinezërira që çuan në dëme kolosale shpirtërore dhe materiale.
Ne jemi ende sot me hijet e revolucionit kulturor në tru. Shkatërrimi është arti i vetëm ku sajdiset më shumë maoisti i fundit i Europës, Edi Rama, i cili në vend që të promovojë kulturën artistike në qytet ka themeluar kulturën e çelikut dhe të betonit, ia ka arritur të rrafshojë kinema “17 Nëntorin”, kinema “Ali Demin”, kinematë në Kombinat e Laprakë, dhe së fundi i dha dërrmën kinema “Dajtit”. Mbi të gjitha nuk ka asnjë respekt për asnjë zhanër artistik në Shqipëri, dhe jo më në Tiranë. Po të bësh një gjurmim të programeve të kryeqyteteve fqinje si Itali, Greqi, Shkup, Beograd apo Prishtinë, kupton sesa e vlerësojnë jetën kulturore bashkitë e këtyre kryeqyteteve. Ndonëse nuk bën asnjë investim për jetën kulturore të kryeqytetit, ai ka maninë të përbuzë edhe krijimtarinë e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Të gjithe u habitën nga shkarja e gojës e një ish-artisti si Edi Rama që shan dhe etiketon me gjithfarë epitetesh artistët e krijuesit që nuk janë pro tij. Bile me një paciptësi narciziste i quan ahengxhinj e daullexhinj, kalemxhinj e bojaxhinj, sepse firmosën kundra grevës, që ishte bllokada e fundit kundër liberalizimit të vizave.
Për rrjedhojë edhe ultimatumet a hartimet e përditshme për shtyp s’janë që tjetër veçse fletë
rufe të stilit të revolucionit kulturor kinez. Ai ngjan me koloninë e atyre të rinjve që në vitet 1966-1970 që shkonin të higjienizonin zonat e thella fshatare, sidomos në mal. Këta shpesh u mësonin fshatarëve deri edhe si të përdornin nevojtoret dhe të lyenin muret me gëlqere dhe t’u prisnin thonjtë kalamajve.
Sigurisht Edi Rama është më i sofistikuar në fshehjen nëpërmjet modelit favelas-painting të kthimit të fshatit proletar. Të njëjtat teza ka pasur edhe Pol-Poti, një maoist i flaktë, i ndikuar shumë teorikisht nga qëndrimi në Paris. Maoistët kishin si qëllim depërtimin e njerëzve nëpër fshatra duke i riedukuar me principet bujqësore dhe elektorale. Edi Rama zbaton principe maoiste të sofistikuar duke e kthyer qytetin e Tiranës në një fshat të madh modern dhe me projekte holandeze si Favelas painting kërkon ta krahasojë Tiranën me periferitë e zhurmshme të Brazilit.