Fokusi i Shqipërisë është perspektiva evropiane
Eurodeputetët shprehen se ngërçi politik që krijohet pas çdo palë zgjedhje në Shqipëri, duhet të marrë fund njëherë e mirë, në mënyrë që vendi të fokusohet te procesi i integrimit.
Sipas kryetarit të delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, dialogu politik mes aktorëve është i rëndësishëm për implementimin e reformave. Sipas tij, Shqipëria duhet të ketë gati kuadrin e reformave me 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, në mënyrë që të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
“Kur themi rifillimi i jetës normale politike, kjo do të thotë dialog politik midis aktorëve politikë, që të zgjidhen çështjet që janë të rëndësishme për vendin. Janë 12 rekomandime të Komisonit Europian dhe nuk e di nëse dikush po diskuton dhe shqetësohet për këto. Ky është rifillimi i jetës normale politike. Kjo nuk po ndodh dhe kjo po plagos vendin dhe popullin shqiptar dhe është për të ardhur keq”, u shpreh eurodeputeti Kukan.
Po ashtu, edhe Nikolaos Chountis vëren se politika duhet të mendojë më shumë për qytetarët shqiptarë dhe problemet e tyre. “Është momenti për të gjithë politikanët në Shqipëri që të zgjidhin probleme më serioze për qytetarët shqiptarë, siç janë problemet ekonomike dhe të drejtat sociale për të mirën e popullit shqiptar. Të gjithë presin, që Shqipëria të rifillojë jetën normale politike”, theksoi eurodeputeti grek, Chountis.