E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga dita e hënë, pritet që Basha të ulet në karrigen e kryeqytetarit të kryeqytetit

14-07-2011 / Gazeta 55

Lulzim Basha, kërkesë Gjykatës së Tiranës për konfirmimin e mandatit të kryebashkiakut

Kryebashkiaku i ri i Tiranës Lulzim Basha ka kërkuar zyrtarisht vërtetimin e mandatit të tij, duke iu drejtuar me anë të një shkresë Gjykatës së Tiranës. Lulzim Basha, pasi ka marrë një ditë më parë vendimin e Kolegjit, e ka depozituar në sekretarinë e Gjykatës së Faktit, duke pritur tashmë vetëm procedurat formale për tu zyrtarizuar si i pari i Tiranës. Tashmë pritet seanca për vlerësimin e mandatit dhe shortin ia ka besuar gjyqtares Elbana Lluri.
Kërkesa do të vërtetojë vendimin e datës 25 qershor të KQZ-së.
Dy ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhje në një mbledhje rutinë hodhi në votim projekt aktin për ndarjen e mandateve të këshillit bashkiak të Tiranës, por mos pjesëmarrja ne votim e anëtarëve të opozitës, bëri që vendimi të mos miratohej për shkak të mungesës së kuorumit prej 5 votash.
Kolegji Zgjedhor i Apelit la në fuqi më 8 korrik vendimin e KQZ-së që shpall Lulzim Bashën fitues të garës elektorale të Tiranës me 93 vota më shumë se rivali i tij. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i formës së prerë, çka i hoqi Partisë Socialiste çdo mundësi tjetër ankimimi, pas dështimeve të njëpasnjëshme të juristëve të saj në seancat e ankimimet të rezultatit të Tiranës dhe fitores së Bashës.
Kësisoj, Lulzim Basha pas marrjes së mandatit nga Gjykata e Tiranës, gëzon të gjitha kompetencat e ushtrimit të detyrës së kryebashkiakut, duke filluar nga dita e hënë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›