E Diel, 1 Nëntor 2026

PE: Të respektohet vendimi i Kolegjit, institucionet janë të ligjshme

14-07-2011 / Gazeta 55

Eurodeputetët rekomandojnë ribërjen e ligjit zgjedhor për t’i dhënë fund kontestimit të zgjedhjeve

Të djathtë dhe të majtë të grupeve parlamentare të Parlamentit Evropian, shprehin një ndjenjë çlirimi që këto zgjedhje mbaruan ashtu siç edhe ishte rekomanduar në përputhje me standardet ndërkombëtare si dhe në respektim me vendimet e institucioneve gjyqësore.
Sipas tyre, vendimi i Kolegjit Zgjedhor për certifikimin e rezultatit zgjedhor të Tiranës, duhet respektuar nga të gjithë faktorët politikë, pasi vendimet e instancave të pushtetit gjyqësor janë detyrimisht të pranueshme. Eurodeputetët Eduard Kukan, Nikolaos Chountis dhe Jelko Kaçin thonë se tani janë njohur me një vendim të formës së prerë nga organet gjyqësore dhe se tani është momenti që i gjithë faktori politik të pranojë këtë realitet që lidhet pikërisht me respektimin e shtetit ligjor.
“Tani kemi një vendim të instancave gjyqësore. Uroj dhe shpresoj, që ky konflikt për rezultatin e zgjedhjeve të mbarojë në një moment. Duhet të mbarojë, sepse nuk mund të vazhdojë kështu pa fund. Shpresoj që konflikti të mbarojë për t’ia lenë vendin një faqeje të re, apo një kapitulli të ri. E uroj këtë sinqerisht për Shqipërinë”, thotë eurodeputeti grek, Chountis.
Kreu i delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan ka theksuar se është lajm i mirë për Parlamentin Evropian, finalizimi i procesit zgjedhor në Shqipëri. Ai apeloi që, e gjithë klasa politike të njohë rezultatin dhe Shqipëria t’i kthehet normalitetit politik.
“Nga njëra anë është lajm i mirë që procesi zgjedhor mbaroi, por nga ana tjetër ne duam të shohim që fundi i këtij procesi të sjellë qetësi në situatën politike në Shqipëri dhe këtë nuk po e shohim ende. Ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë pas këtyre zgjedhjeve, është që të gjithë të njohin rezultatin dhe të rifillojë jeta normale politike në vend”, u shpreh Kukan.
Ai kërkoi respektimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor si dhe njëherazi nisjen nga puna të tryezës së partive politike për hartimin e reformës së re elektorale. Lidhur me ankimimin e Partisë Socialiste në Komisionin e Venecias, Kukan thotë se opinioni i Venecias nuk mund të ndryshojë vendimin e Kolegjit, por thjesht ka vlerë këshilluese mbi legjislacionin.
“Komisioni i Venecias ka si rol për t’u shprehur mbi interpretimin e legjislacionit ose për të dhënë një opinion lidhur me të. Mendoj, se kur ky Komision të shprehet mbi zgjedhjet lokale në Shqipëri, duhet të jetë elementi i fundit për të normalizuar procesin zgjedhor në Shqipëri. Por nuk mund të ndryshojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor, pasi ky është i formës përfundimtare. Opinioni i Venecias mund të përdoret për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme, pasi ato do të mbahen pas dy vitesh”, u shpreh më tej eurodeputeti Kukan.
Opinioni i Komisionit të Venecias mund të shërbejë në këtë rast për përgatitjen e zgjedhjeve në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, pasi para zgjedhjeve lokale, ne ju kemi rikujtuar, se kishte 32 rekomandimet të ODHIR-it dhe se ato duhet të ishin përfshirë, për të mos përsëritur sërish historinë e zgjedhjeve të kontestueshme në Shqipëri. Asgjë nuk u bë në këtë drejtim. Pra, këto rekomandime duhen zbatuar së bashku me opinionin e Komisionit të Venecias për të ndryshuar legjislacionin në mënyrë që të ndryshojmë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.
Në të njëjtën linjë shprehet edhe Jelko Kaçin, kur thotë se shteti ligjor primon në çdo shtet dhe se vendimet e instancave të pushtetit gjyqësor janë detyrimisht të pranueshme.
“Imazhi i një vendi nuk lidhet vetëm me perceptimin nga jashtë, por ka të bëjë shumë më tepër me bashkëjetesën brenda vendit. Pa këtë besim te njëri tjetri nuk mund të ketë progres. Së dyti, shteti ligjor primon në çdo shtet dhe rrjedhimisht vendimet e instancave gjyqësore janë detyrimisht të pranueshme dhe zbatueshme. Opinionet e organizmave europianë do të ndihmojnë për zgjedhjet e ardhshme”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›