Fokusi i bisedimeve, Kosova dhe Afganistani
Përfundoi punimet takimi i ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-sMinistrat e Mbrojtjes të Aleancës së Atlantikut Verior, kanë vlerësuar angazhimin e NATO-s në Kosovë, veprimet e ndërmarra deri në muajt e fundit, si dhe përshëndetën arritjet e shënuara nga strukturat e KFOR-it gjatë kësaj periudhe. Këtë vlerësim, Minsitrat e Mbrojtjes së NATO-s, e shprehën gjatë takimit të tyre informal, i cili u zhvillua në Stamboll më 4-5 shkurt 2010. Në këtë takim ishte i pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, si dhe ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në takim mori pjesë edhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates. Ministrat riafirmuan angazhimin e Aleancës për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj për një mjedis të sigurt në Kosovë.Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i pranishëm në këtë ministerial, u shpreh pas takimit se, në këtë takim u shfaq qëndrimi i vendit tonë për rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, duke i konsideruar si të papranueshme nxitjet për autoritete paralele në Kosovë. “Lidhur me Kosovën, u shpreh Ministri Imami, vlerësimi ynë është që stabiliteti politik është i qartë, progresi është i dallueshëm. NATO dhe Kosova mund të quhen një histori suksesi”, theksoi Imami. Ministri shqiptar i Mbrojtjes, theksoi se në veri të Kosovës, sidomos në zonën e Mitrovicës ka ende probleme të sigurisë që lidhen me struktura paralele, që nuk shkojnë në drejtimin e duhur për të cilin folëm edhe në këtë takim të NATO-s. “Për ne, ka vijuar më tej Imami, është e rëndësishme që Kosova të fillojë të futet në rrjedhën e integrimit rajonal dhe në veçanti në rrjedhat e integrimit euroatlantik. Kjo do të ishte garancia përfundimtare për paqe dhe stabilitet në Kosovë e në rajon”.Gjatë zhvillimit të takimit u diskutuan veç Kosovës edhe dy çështje të rëndësishme, buxheti i NATO-s dhe Afganistani. Lidhur me Afganistanin, për shkak të shpenzimeve të larta për misionin në këtë vend, Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s kërkuan një kurs strikt kursimesh. Në mbledhjen e tyre në Stamboll, ata ndër të tjera vendosën që të reformojnë administratën. Përveç kësaj 28 vendet anëtare duhet të paguajnë kontribute më të larta për të barazuar deficitin prej 720 milionë euro në buxhetin e NATO-s. Për shumat që duhet të paguajë secili vend anëtar do të vendoset në fund të marsit. Ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Gutenberg tha se është bërë e qartë që nuk duhet të humbasë shumë kohë. Ushtarët në mision kanë të drejtë për mbrojtjen më të mirë të mundshme, tha Guttenbergu....