E Hënë, 2 Nëntor 2026

Folk-Gjirokastra për të mos humbur auditorin

23/03/2005  Kemi hyrë në vitin e pestë të shekullit XXI, ku i gjithë globi thithet nga i njëjti rrjet komunikimi. Nuk ka kaluar dhe aq shumë kohë, kur të parët tanë komunikonin me anën e simboleve, si me mënyrat dhe format e zjarreve, mënyrat e krismave të pushkëve, thirrjeve kushtruese, ose kur udhëtonin te njëri-tjetri me kuaj, si i vetmi mjet lehtësues për udhëtimet e largëta.

Problemi më evident, ai më shqetësuesi i shfaqur sot para njerëzimit është se, vërtet historia njerëzore po i afrohet fundit, apo në të kundërt jemi afruar në pragun e një ere të re, pasi, aktualisht, nuk jemi më qytetarë vetëm të një qyteti dhe as të një shteti të veçantë, por po jetojmë në një civilizim global?!

A do t’i harrojmë e t’i lemë pas dore edhe ato, të cilat kemi mundësuar për t’i ruajtur apo do të përpiqemi seriozisht e sinqerisht për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, gjuhën, historinë, traditat, artin, kulturën etj.?! A do të qëndrojmë si një komb i bashkuar në rrjedhjen tradicionale apo të tretur e të perceptuar në solucionin global?!

Thamë se rreth kësaj çështje do të përpiqem të paraqes mendimet e mia, duke patur për bazë Festivalin Folklorik mbarëkombëtar Gjirokastër 2004.

Ky festival meriton të nderohet, vlerësohet e të përgëzohet, sidomos për dy motive kryesore: 1.Si vazhdues i traditës së shkëlqyer të ballafaqimit të artit popullor të folklorit të mrekullueshëm të kombit tonë. 2.Si dasma më e madhe e kombit me pjesëmarrjen e krushqve nga mbarë trojet shqiptare nga diaspora dhe arbëreshët aq të suksesshëm në ruajtjen e vlerave folklorike të qindra vjetëve, jashtë truallit e larg komunikimit me origjinën e tyre.

Mendimet e mia për festivalin e ardhshëm qëndrojnë te gjeografia… Po të bëjmë më shumë kujdes dhe të ruajmë me fanatizëm shtratin e folklorit, trevat etno–folklorike, patjetër që do të kontribuojmë në ruajtjen e rrjedhës së gurrës folklorike. Grupimet në bazë qarku, është laku në fytin e folklorit. P.sh., reduktimi i Tropojës në 16 pjesëmarrës, do të thotë përjashtim i folklorit të kësaj treve nga mundësitë e ballafaqimit dinjitoz. Bashkimi i folklorit të Tropojës me atë të Lumës–Kukës është një arnim tepër artificial dhe i rëndomtë. Ti thuash Pukës mos u paraqit me orkestrën e Ndue Shytit, është njëlloj sikur t’i thuash Tropojës mos u paraqit me kërcimet e tua.

Ashtu siç është Hasi, i një shtrati folklori me Hasin e rrafshit Kosovë, apo Kukësi me rrethinat e Prizrenit, ashtu është Tropoja me rrethinat e Gjakovës, Deçanit apo me Vuthajt. Pra, grupime të tilla do të ishin shumë më të arsyeshme. Kanë mbetur jashtë ballafaqimit disa treva me pasuri folklorike si në Plavë-Guci-Vuthaj, Rapsha-Tuz edhe në Kosovë e në Maqedoni. Kjo jo për fajin e organizatorëve të festivalit, por nga praktikimet jo pozitive dhe grupimet jo aq profesionale të vetë drejtuesve të atjeshëm.

Vlerësimet, ndarja e çmimeve

Duke iu referuar edhe eksperiencës time, që nga festivali i vitit 1968, një vlerësim më i arsyeshëm dhe më i drejtë do të ishte vlerësimi i gjetjes më të bukur në llojin dhe gjinitë e artit folklorik, si dhe interpretuesit më efikas, pra, virtuozëve. Të ketë tre çmime për secilën gjini dhe për secilin virtuoz përkatës. Ai grup, i cili grumbullon numrin më të madh të këtyre çmimeve të shpallet grupi i çmimit të madh, pra i flamurit të festivalit. Po kështu i dyti, i treti, dhe me radhë.

Në këtë mënyrë do të bëhet vlerësimi i zonës etno-folklorike, i atyre që dinë ta ruajnë, studiojnë dhe transmetojnë folklorin. Kështu që gurra e folklorit do të rrjedhë pa lakun në fyt. Administratat, pushteti vendor është i detyruar të ndihmojë e të respektojë artin popullor. Do ta quaja gjyhnaqar të politikës atë person, i cili kërkon të politizojë edhe folklorin. Nëse nuk do të bëhen vlerësimet e veprave folklorike në gjini, lloje e zhanre të veçanta, edhe në individ virtuoz, pa dashje do të vlerësohen administratat, qarqet e prefektuarat dhe kryetarët e tyre do të vrapojnë të marrin këto çmime, në vend të ndonjë drejtuesi artistik apo interpretuesi virtuoz.

Disiplina skenike – patjetër që duhet të ketë një disiplinë të rreptë, përsa u përket minutave dhe për far kufizimi në numrin e pjesëmarrësve brenda një grupi. Kjo mund të arrihet duke i dhënë kompetencë të plotë grupit të kontrollit. Ky grup pune duhet të bëjë verifikimin dhe aprovimin e programit të ballafaqimit për secilin grup dhe po pati shkelje të vihet në dukje, duke na bërë të qartë se edhe mund të skualifikohen. Organizimi si në festivalin e fundit, për qëndrimin e secilit grup vetëm dy net më duket i drejtë, sepse na jep mundësinë të rritet numri i grupeve, pasi, tashmë për fat të mirë festivali ka përmasat mbarëkombëtare, pra përfaqësimi e ballafaqimi i folklorit të mbi 10 milionë shqiptarëve. Ashtu siç kishte juria personalitete me grada shkencore dhe me një larmi krahinore, ashtu duhet të jenë edhe grupet e punës dhe, sidomos grupi i kontrollit me specialistë profesionalë nga krahina të ndryshme, të cilët duhet të jenë kompetentë në njohjen e folklorit mbarëkombëtar dhe tepër preçizë në dhënien e mendimeve.

Hyrja në Evropën e Bashkuar nuk do të thotë që duhet harruar identiteti kombëtar. Identiteti ruhet kryesisht, duke ruajtur gjuhën, zakonet e traditat më të mira, si dhe duke ruajtur dhe zhvilluar artin folklorik mbarëkombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›