E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tuk Jakova: partia po bëhet aparat policor nga Koçi Xoxe

23/03/2005  Cilat ishin eliminimet zinxhir të personazheve politikë nga '45 deri më '81, me vetëvrasjen e Mehmet Shehut? Çfarë përmbante raporti i Enver Hoxhës që u lexua në Kongresin e parë të PKSH? Çfarë tha Tuk Jakova për Koçi Xoxen në kongres?

Ndyrshohet statusi i partisë nga komuniste në socialiste. Kush u zgjodh në byronë e parë politike?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Sa u gabua Koçi Xoxe, duke u përpjekur të shpëtojë e duke shpresuar të zgjonte ndjenjën e drejtësisë te shokët e partisë! I tërë sistemi i marrëdhënieve të ndërsjellta në lëvizjen komuniste botërore nënkuptonte një reaksion zinxhir tradhtish, denoncimesh dhe akuzash nga më fantastikët. PKSH-ja nuk mund të ishte një përjashtim: Spiru demaskoi “oportunistin” Malëshova, atë vetë e “hëngri” Xoxe, të cilin e bëri pluhur si antisovjetik dhe agjent të Jugosllavisë, Shehu, i cili në vitin 1981 i dha fund jetës me vetëvrasje, i shtyrë nga Hoxha.

Në raportin e KQ të PKSH-së, leximi i të cilit nga Hoxha zuri tri ditët e para të kongresit, shtjellohej historia e partisë, që nga dita e krijimit. Ajo ndahej në dy periudha, deri në plenumin e Beratit të nëntorit të vitit 1944 dhe pas tij. Sa i takon periudhës së parë, përfundimi qe plotësisht i përcaktuar: “Gabuan Ymer Dishnica dhe Liri Gega, por jo Komiteti Qendror dhe sekretari i përgjithshëm”. I pari u kritikua për marrëveshjen e Mukjes, e dyta për krijimin e një situate të sëmurë në parti. Ndërsa përmbajtja e vijës së përgjithshme të partisë nuk qe shtrembëruar, ndaj bëhej përcaktimi: “Kjo ishte vija e partisë, të cilën e mbrojtën shokët Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi”.

Në periudhën pas plenumit të Beratit, triumfuan tezat armiqësore të KQ të PKJ-së, si pasojë e të cilëve u dëmtuan uniteti i KQ-së dhe u shtrembërua vija e partisë, u shthur parimi i centralizimit demokratik, kritika dhe autokritika i shërbyen qëllimit për të përbaltur njerëzit, u nxitën ambicia dhe mania e madhështisë, u krijua kulti i heronjve, që kishin shpëtuar partinë nga rreziqet e paqëna, u ushqye karrierizmi, zu të mbizotërojë arbitrariteti, metodat ushtarake, puçiste dhe anarkiste. Në raportin e Tuk Jakovës pathosi demaskues u përqendrua në sferën e punës organizative. Ai vuri në dukje (dhe kjo u përfshi dhe në rezolutë) se “partia qe shndërruar në një aparat policor, ku mbretëronte frika nga dhuna e organeve të sigurimit, në krye të të cilit qe Koçi Xoxe”. Edhe në raport, edhe në rezolutë theksohet, se të gjitha këto shtrëmbërime u mundësuan “për shkak të nivelit të ulët ideologjik të partisë”.

Fjalimet, të gjithë referencë Enverit

Në kongres, u sollën shembuj të ndëshkimeve të padrejta të komunistëve, u lexuan letrat e njerëzve të dënuar pa faj apo të vënë nën vëzhgim e që, për këtë shkak, i kishin dhënë fund jetës me vetëvrasje. Në të gjitha raportet, pavarësisht nga problemet që trajtoheshin, vendin kryesor e zinin akuzat kundër udhëheqjes jugosllave dhe agjenturës së saj në Shqipëri. Po këtë frymë kishte dhe raporti i Bedri Spahiut “Mbi të drejtat dhe detyrat e anëtarit të partisë” dhe diskutimi i Mehmet Shehut “Organet e sigurimit-armë e dashur e besnike e partisë dhe e popullit tonë”. Pavarësisht nga emërtimet e ndryshme, kuptimi i të dy diskutimeve qe i njëjtë, duke u nisur nga “raporti madhështor e historik i shokut Enver”, duke u nisur nga “raporti madhështor e historik i shokut Enver”, për të dënuar “metodat despotike”, me anë të të cilave fraksioni Xoxe realizoi “politikën e vet antishqiptare, antimarksiste, trockiste dhe antisovjetike”.

Në kongres, u diskutua dhe u miratua statuti i partisë dhe u vendos për ndryshimin e emrit, nga Partia Komuniste e Shqipërisë në Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH), nisur nga përbërja e saj shoqërore. U dhanë këto shifra: shumicën dërrmuese të popullsisë në vend e përbënte fshatarësia (90%), kështu që edhe në parti shumica qenë fshatarë (të varfër 50%, të mesëm 13%). Punëtorët, duke përfshirë edhe ata që punonin në bujqësi, përbënin 22.6%. Qe gjithashtu i ulët edhe niveli i përgjithshëm arsimor. Numri i analfabetëve ishte më i madh nga ia i njerëzve me arsim të lartë apo arsim të lartë të papërfunduar, përkatësisht 548 (1.8%). Më shumë se 80% e anëtarëve të partisë kishin vetëm arsim fillor.

Stalini i sugjeroi Enverit ndërrimin e emrit të Partisë

Ndryshimi i emrit të partisë ka historinë e vet. Në korrik të vitit 1947, kur Hoxha dhe Xoxe ndodheshin në Moskë, patën me A.A.Zhdanovin dhe M.A.Susllovin një bisedë për të gjitha problemet organizative, përfshi këtu dhe ndërrimin e emrit të partisë. Idenë e kishte hedhur Stalini në bisedën e tij të parë me Hoxhën. Kur Zhdanovi e pyeti nëse do të kishte kundërshtime për këtë, Hoxha e siguroi se ndërrimi i emrit të partisë do të mirëkuptohej, duke përjashtuar, siç tha ai, komunistë të veçantë me pikëpamje sektare. Në të vërtetë, ish-partizanët kundërshtuan për emrin e ri “jo komunist” të partisë dhe vetëm kur u thanë se për këtë ishin shprehur vetë shoku Stalin, diskutimet u ndërprenë. Sekretari i ri organizativ, Tuk Jakova, siguroi se ndryshimi i emrit të partisë nuk do të thoshte heqje dorë nga idealet komuniste. Në statutin e PPSH-së, qëllimi përfundimtar përcaktohej në këtë mënyrë: “Krijimi i shoqërisë komuniste, në të cilën do të zhduken plotësisht ndryshimet klasore, do të shuhen kufijtë midis qytetit dhe fshatit, do të arrihet një nivel i lartë i prodhimit, dhe do të zbatohet parimi “secili sipas mundësisë, secilit sipas nevojave”.

Kongresi zgjodhi Byronë e re politike. Në të bënin pjesë E.Hoxha (Sekretar i Përgjithshëm, T.Jakova, sekretar i KQ, M.Shehu sekretar i KQ, B.Spahiu sekretar i KQ), H.Kapo, G.Nushi, L.Belishova, S.Koleka, B.Balluku. Komiteti Qendror përbëhej nga 21 anëtarë dhe 10 kandidatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›