Poezi, nostalgji, verë dhe ... Gavroshi
23/03/2005 Pas rreth 30 vitësh, skena e Teatrit Kombëtar dhuroi emocione të veçanta për publikun kryeqytetas, në përgjithësi, e për frankofonët në veçanti. Në dritat e zbehta të skenës dhe flakës së qirinjve, Gavroshi "priste" spektatorët, duke i rënë fisarmonikës.... e ndërsa publiku mbushte sallën dalngadalë, bohemi Gavrosh luante pjesët e tij të preferuara, natyrisht, pa pritur shpërblimin dhe në sfond ngjyrat e flamurit francez. Një skenografi kaq shprehëse, sa është e kotë të thuhet se kujt apo çfarë simbolizonte kjo natë poetike. Baudelaire, Aragon, Prevert e emra të tjerë të njohur të poezisë franceze erdhën para publikut, nën recitimet plot ndjenjë, emocionuese, madje, drithëruese të Yllka Mujos, Fatos Selës dhe Valbona Imamit. Një gjetje e fortë regjisoriale, jo vetëm në konceptin skenik, pozicionin skenik të aktorëve, por edhe në shtrimin e vetë poezive. Një himn për dashurinë, më pas një klithmë ekzistencializmi, më pas një përballje, për të vazhduar me një të vetmuar, e më pas një "mizantrop" që do të kërkonte shpëtimin në det, larg njerëzve. Dhe në pauzat e krijuara, meloditë dhe këngët e Aznavour mbushnin sallën, ku duartrokitjet nuk reshtën. Një natë që publiku do ta kujtojë gjatë, jo vetëm se recitimet e aktorëve ishin prekëse, njerëzore dhe emocionuse, por edhe për faktin se gjetën pak prehje, pak kohë për të kujtuar, pak kohë për të lënë poezinë të përshkojë shpirtin e tyre... Vargje në shqip të kuptueshme, vargje në frëngjisht po kaq të kuptueshme, po kaq mrekullisht të recituara..., nën flakën e qirinjve që digjeshin, si një metaforë e shpirtit të dashuruar, zemrës së pikëlluar apo vetmisë torturuese... E papritur, aktorët shkrihen në një, vargjet përcillen në një jehonë kumbuese fjalësh (një gjetje tepër origjinale e regjisorit Çuli), ku "godasin" më fort, të shkëputura nga njëra-tjetra, por edhe kaq pranë njëkohësisht dhe, ku trojka e aktorëve, në një unison emocional, mundësuan të kuptosh, që të gjithë gëzojmë njëlloj, vuajmë njëlloj, urrejmë njëlloj, jetojmë njëlloj...