E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, krenar në Strasburg për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Presidenti siguron besnikërinë dhe përgjegjshmërinë e shtetit më të ri në organizatën ndërkombëtare
Presidenti i Republikës Bamir Topi e konsideroi privilegj përfaqësimin e Shqipërisë në Samitin jubilar të NATO-s. Gjatë fjalës së tij në këtë samit, ai theksoi se ndjehet shumë krenar që anëtarësimi i Shqipërisë kurorëzohet në këtë ditë të shënuar. Vij këtu për të sjellë mirënjohjen, falënderimin, miqësinë më të thellë të popullit shqiptar për Aleancën, për Ju të dashur aleatë, për parlamentet dhe qeveritë dhe për popujt miq të popullit shqiptar. Jam këtu, për t'ju konfirmuar besnikërinë e përgjegjshme të Shqipërisë ndaj shpresave dhe besimit tuaj në aspiratën e popullit tim për t'u integruar, iu drejtua kryetari i shtetit, pjesëmarrësve në samit. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, presidenti Topi konfirmoi besnikërinë e përgjegjshme të Shqipërisë ndaj shpresave dhe besimit të partnerëve ndërkombëtarë në aspiratën e popullit shqiptare për tu integruar. Duke përmendur përvjetorin e 20 të, të shembjes së Murit të Berlinit, kreu i shtetit veçoi faktin se Shqipëria bëhet shembulli historik se si një popull, pasi përmbysi diktaturën më të ashpër dhe këputi zinxhirët e izolimit më të gjatë politik, vetëm sepse besoi në idealin e lirisë, në atë të të drejtave të njeriut dhe në kuptimin e plotë të fjalës demokraci, u bë anëtar i organizatës më të madhe, kampione të lirisë dhe të vlerave universale. Ne ndodhemi përkrah jush, sepse mbetemi, të vendosur të përballemi dhe ti fitojmë sfidat tona të brendshme politike, ekonomike dhe ushtarake, sepse, kontributi dhe roli aktiv e moderues i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit do të kthehet në vlerë të shtuar të investimit për paqen e stabilitetin e qëndrueshëm të tij, theksoi presidenti Topi ku shtoi mbështetjen për Kosovën dhe bashkëpunimin me politikën fqinj, për një të ardhme të përbashkët euroatlantike. Gjithashtu, kreu i shtetit theksoi se ushtarakët e Forcave të Armatosura do të jenë tashmë më krenarë se më parë, atje ku NATO do të luftojë për lirinë dhe demokracinë. Në fund të fjalës së tij, presidenti Topi e cilësoi ditën e djeshme si ditë historike dhe si dëshmia e mikpritjes dhe e miqësisë franko-gjermane.
Pas anëtarësimit në NATO, zgjedhjet të rëndësishme për Shqipërinë
Presidenti Topi ka ritheksuar nga Strasburgu se pas anëtarësimit në NATO, standard themelor është realizimi i zgjedhjeve të lira dhe korrekte. Gjatë qëndrimit të tij në punimet e Samitit të Strasburgut, Presidenti Topi i cilësoi test të rëndësishëm të politikës shqiptare zgjedhjet e 28 qershorit, pas momentit të hyrjes në Aleancë. "Ajo që kërkohet pas kësaj është realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, që është dhe standardi themelor, me qëllim që të mos kontestohet rezultati i tyre. Klasa politike është e ndërgjegjshme dhe kjo jo vetëm mbi bazën e predispozicionit të saj, por tashmë dhe të detyrimeve që ne sot kemi mbi bazën e anëtarësimit në Aleancë. Nëse ne jemi në këtë situatë, që jemi në rrugën e aderimit në Bashkimin Evropian. Klasa politike është e ndërgjegjshme, po bëhen të gjitha përpjekjet, njerëzit duhet të marrin pjesë në votime, duhet të pajisen me karta deklaroi presidenti Topi. Sipas tij, anëtarësimi në NATO, e ka futur Shqipërinë në rrugën e detyrimeve dhe seriozitetit më të thellë. Me anëtarësimin në NATO futet në rrugën e detyrimeve dhe të një serioziteti më të thellë përsa i takon angazhimeve. Ne u angazhuam në mënyrë të drejtpërdrejtë që të dyfishojmë praninë tonë në Afganistan, natyrisht duke forcuar ndjeshëm dhe rolin dhe mënyrën e aktivizimit mbi bazën e standardeve të reja që kërkon NATO", u shpreh presidenti. Në lidhje me takimin e zhvilluar me presidentin amerikan Obama, presidenti Topi shpjegoi se ka marrë përgëzimet e presidentit amerikan, i cili ka shprehur edhe njëherë kënaqësinë për futjen e Shqipërisë në NATO dhe ka inkurajuar vazhdimin e reformave në Shqipëri.

Last Updated on Sunday, 05 April 2009 18:36

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›