Shkencor! Rreptësisht
“Rreth alfabetit të shqipes” të autorit Xhevat Lloshi. Pika më e fortë e këtij libri mbetet një frymë polemike e rreptë shkencore, që e përshkon atë nga fillimi në fund, e cila ka për qëllim të saktësojë ide, mendime, figura, dhënë nga autorë të ndryshëm, që ndofta për arsye të ndryshme të konjukturave politike të kohës qenë bërë tabu dhe i binin “avazit të mukës”
Shkencëtari dhe gjuhëtari i njohur, Xhevat Lloshi, 100-vjetorin e “Kongresit të Manastirit” (1908-2008) do ta përuronte me një libër të botuar, të cilin e titullon “Rreth alfabetit të shqipes” (2008). Në një hark kohor prej dhjetë vitesh si veprimtar e prodhimtar i begatë, ai do të realizonte disa botime, të cilat për kulturën kombëtare shqiptare përbëjnë vlera dhe shënojnë arritje të reja. Me siguri për të tashmen dhe të ardhmen ato do të jenë objekt i analizave shkencore, për të rejat që sjellin, për problemet që ngrenë, mënyrën e trajtimit, frymën e polemikës, të cilat pa dyshim nuk i përkasin thjesht dhe vetëm gjuhësisë. Por ato u takojnë disa disiplinave shkencore dhe në mënyrë të veçante ato përbëjnë objekt dhe për shkencën e antropologjisë. Kujtojmë këtu botimet: “Stilistika e gjuhës shqipe dhe pragmatika” (1999), “Kristoforidhi përmes dokumentimit” (2005), “Kërkime për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe” të W. Marin-Lik përkthyer e paraqitur nga Xh. Lloshi (2006) dhe së fundi veprën që ne po shqyrtojmë pikërisht në këtë kohë, ku mendohej se për alfabetin e gjuhës shqipe, janë thënë e shkruar aq shumë, sa për çdo studiues shtrohen pyetje nëse ka mbetur gjë tjetër e re për t’u thënë. Një punë të madhe në këtë drejtim kanë bërë autorë të veçantë me botime monografike e studime të përmbledhura. Por autori Xh. Lloshi e sheh disi ndryshe këtë çështje, duke e parë nga një këndvështrim i ri, të shoqëruar dhe me dokumente, por duke dhënë mesazhin se vendimet e Kongresit të Manastirit përcaktuan jo thjesht dhe vetëm shkronjat, por ato dhanë orientimin kulturor kombëtar, që do të ishte i përhershëm si tipari dallues i profilit të kombit shqiptar. Duket se është një projekt i kahershëm në mendimet e autorit, të cilin ai e shpalos gjatë këtyre viteve, duke e konkretizuar me realizimin e këtij botimi. Shkurt, detyra parësore dhe tejet e vështrimit e Xh. Lloshit ka qenë të hulumtojë dhe të ndjekë të gjitha botimet e derisotme që nga fillimet për çështjen e alfabetit të autorëve shqiptarë e të huaj, këndej e andej kufirit të Shqipërisë, së dyti këto probleme autori i sheh në rrjedhën historike të zhvillimeve politike, arsimore e kulturore të Shqipërisë e shqiptarëve të kohës, ashtu siç ato ishin në të vërtetë dhe jo ashtu siç duhet të ishin. Udhëtimi në historinë e kulturës shqiptare e veçanërisht për gjuhën shqipe bëhet interesant në libër, duke filluar nga periudha e antikitetit, përhapja e krishterimit në trevat e Ilirisë historike e përkthimeve, në veçanti e historisë, Xh. Lloshi ka vendosur një mori personazhesh, të cilët zënë vendet e tyre. Forcat janë rreshtuar në fushën e betejës. Në rastin tonë konkret flitet për kufijtë gjuhësorë, etnikë të shqiptarëve dhe nis lufta duke shpalosur librat e historisë, tekstet e vjetra, dokumentet, abetaret, gramatikat. Beteja fillon me këtë shpirtërore, atë që vetë autori vite më parë e ka thënë se lufta për fjalët dhe shkronjat, kërkon po atë rrethim të forcave dhe ka po ato skena dhe prapaskena si çdo betejë tjetër, në të cilën dikush mbaron të drejtën e vet dhe të tjerët kërkojnë t’ia rrëmbejnë. Por merita e autorit qëndron në faktin se çdo njeri e vendos në vendin e tij dhe çdonjërit i jep atë që i takon. Për fatin e keq të shqiptarëve, historia e popullit dhe e kombit, për një pjesë të mirë të kohës ka qenë një histori me dhimbje të madhe, por ajo ka pasur brenda dhe madhështinë tragjike. Rruga nëpër të cilën ka kaluar alfabeti i gjuhës shqipe, për të ardhur deri në ditët e sotme ka qenë tejet e vështirë. Historia e dokumentuar e popullit tonë, historia e gjuhës së tij, e cila nis me shkrimin, është vërtitur nëpër disa orbita me të vërtetë dramatike. Përveç sakrificave të panumërta të patriotëve e atdhetarëve shqiptarë, shpesh nuk ka munguar martirizimi i tyre, fenomen që nuk haset në popujt e tjerë ballkanikë e më gjerë, kur flitet për shkollën, gjuhën, kulturën e një populli, që përcaktojnë identitetin e kombit. Ndofta pika më e fortë e këtij libri mbetet një frymë polemike e rreptë shkencore, që e përshkon atë nga fillimi në fund, e cila ka për qëllim të saktësojë ide, mendime, figura, dhënë nga autorë të ndryshëm që ndofta për arsye të ndryshme të konjukturave politike të kohës qenë bërë tabu dhe i binin “avazit të mukës”. Por në të njëjtën kohë, autori rektifikon ngjarje dhe me argumente shkencore jep prova për t’i argumentuar e saktësuar ato. Përmes një analize dhe sinteze bëhet e qartë se përpjekjet e shqiptarëve për të arritur tek një alfabet i përbashkët, nuk i përkasin as vitit 1864, as vitit 1865, por komisioni për alfabetin e shqipes është ngritur në nëntor 1869. Kur bëhet fjalë për t’i dalë ballazi këtij problemi themelor, autori, me të drejtë patriotët shqiptarë, intelektualët e shkolluar të kohës, i vendos në vijën e parë të frontit, por pa mohuar kurrsesi ndihmesën e të huajve, si të shoqërisë biblike për Britaninë dhe vendet e huaja dhe atë të perandorisë austro–hungareze. Për të huajt ishte e qartë se Kongresi i Manastirit e tejkalonte cakun e miratimit të një alfabeti. Ai qe një hap i rëndësishëm për bashkimin kombëtar dhe për njësimin e shqipes si gjuhë standarde, ku si bazë ishte vendosur dialekti i Elbasanit. Por autori me të drejtë thekson se autorët shqiptarë kishin nisur të shkruanin shqipen me alfabet, për shkak të orientimeve të tyre kulturore, që lidheshin me njohjen e një gjuhe tjetër prej tyre, pra në kushtet e dygjuhësisë, një fenomen ky sot në kohën moderne, ku shqiptarët ndodhen në disa kontinente dhe për ta mësuar e shkuar shqipen nga brezat e rinj, kjo gjë është e rëndësishme. Duke u përpjekur që në librin e tij të jetë sa më realist, Xhevat Lloshi thekson se për të ndihmuar çështjen kombëtare, veprimtarët shqiptarë jo vetëm që jetuan, mësuan në kushte e rrethana të vështira të pushtimit të huaj osman, por atyre u duhej të bëheshin të njohur, të afirmoheshin në këto rrethana. Rasti i Ismail Qemalit, Kostandin Kristoforidhit janë shembuj konkretë dhe dëshmi të këtij fakti, ndryshe vështirë se ata do të ishin bërë të njohur tek bashkatdhetarët e tyre dhe më pas në kancelaritë evropiane e në mendimin shkencor bashkëkohor. Interesant është fakti se si e ka konceptuar e strukturuar botimin autori. Si “rebel” ai nuk pranon të ecë në formën tradicionale të botimeve të këtij karakteri apo të kësaj natyre. Duke iu dashur të saktësojë shkencërisht probleme, të cilat lidheshin jo vetëm me alfabetin, por dhe me çështje të tjera të kulturës shqiptare, ai ka preferuar të ngrejë një piramidë, ku brenda ka shumë labirinte të panjohura, për të arritur deri në objektivin e caktuar, qëllim të cilin ia ka vënë vetes dhe e ka realizuar atë me sukses. Botimi rreth “Alfabetit të shqipes” për natyrën, tematikën, morinë e informacionit dhe të personazheve me kontribut në fusha të ndryshme të dijes, shkencës e diturisë, e ka pasur të domosdoshëm hartimin të paktën e një treguesi të emrave në fundin e tij. Por pavarësisht nga kjo, libri radhitet si një nga botimet më të arrira shkencore për problemet e alfabetit dhe për autorin shënon sukses të plotë.