E Diel, 1 Nëntor 2026

Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” aktivitet për fëmijët

23/11/2009  20-vjetori i ratifikimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve

Liri Berisha: Të mos reshtim për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve

Me rastn e 20-vjetorit të ratifikimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, me presidente zonjën Liri Berisha, kanë organizuar një sfilatë me fëmijë në ambientet e Pallatit të Brigadave. Aktiviteti, i cili vijoi me fushatën sensibilizuese për dhurimin vullnetar të gjakut “Dhuro për jetën”, apelonte për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si dhe sensibilizimi dhe edukimi i fëmijëve që në vogëli, duke e shndërruar dhurimin vullnetar të gjakut në kulturë të përgjithshme për shoqërinë tonë. Në këtë ceremoni nuk munguan mesazhet e thjeshta që vet fëmijët përpiqeshin të përcillnin tek të pranishmit, të rritur dhe të përgjegjshëm për rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Në fjalën e saj përshëndetëse zonja Berisha i njohu të gjithë me qëllimin human të kësaj veprimtarie në pamje të parë argëtuese dhe emocionuese, kërkoi të përcjellin mesazhin e ndjeshmërisë ndaj të sëmurëve talasemikë, të cilët kanë nevojë për gjak, kërkoi që të mos rreshtim për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, pasi çdo jetë njerëzore është e shtrenjtë dhe duhet mbrojtur. Ndër të tjera presidentja e fondacionit “Fëmijët shqiptarë” theksoi se fëmijët në gjuhën dhe mënyrën e tyre sot apelojnë për të drejtën më themelore: të drejtën për të jetuar, se apeli i tyre është: “Dhuroni gjak për jetën, për bashkëmoshatarët tanë talasemikë”. Gjatë këtij aktiviteti fëmijët kanë sfiluar me veshje të stilistes së mirënjohur Enada At Nikolla, ku në të gjithë aktivitetin spikaste ngjyra e kuqe dhe e bardha. Të ftuar në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga organizata ndërkombëtare si dhe përfaqësues të shoqatave dhe institucioneve kombëtare. Pas përfundimit të veprimtarisë për të gjithë fëmijët u dhurua libri “Trupi ynë”, që në vetvete është një kujdes dhe merak për çdonjërin prej fëmijëve që vjen në jetë dhe ka të drejtën për ta jetuar. Ceremonia u mbyll me çaste mbresëlënëse dhe fotografi të shumta mes të ftuarve, bashkëpunëtorë e miqësitë të reja që u krijuan mes prindërve dhe fëmijëve.

Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve u miratua më 20 nëntor 1989 dhe ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetës dhe të zhvillimit të fëmijëve në të gjithë botën. Ajo është ratifikuar nga rreth 200 shtete. Të gjithë fëmijët kanë të drejtat e tyre, por shumë prej tyre u mohohen këto të drejta për të jetuar të qetë e në paqe. Zhvillimi i instrumenteve të përkujdesjes ligjore për fëmijët ka pësuar rritje gjatë shekullit XX. Principet themelore të Konventës janë në themel të veprimtarisë së UNICEF-it.

Konventa e OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Konventa për të Drejtat e Fëmijëve është traktati mbi të drejtat njerëzore, që është ratifikuar më shumë se çdo dokument tjetër nga vendet e botës në historinë e njerëzimit. Dokumenti është aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor 1989, në Nju-Jork dhe ka hyrë në fuqi më 2 shtator të vitit 1990. Kjo konventë është instrumenti më i rëndësishëm ligjor në dispozicion të të gjithëve: individë, familje, shoqata, qeveri, që luftojnë për një botë ku çdo fëmijë të ketë të njëjtat mundësi për qenë protagonist i së ardhmes së tij. Zhvillimi i instrumenteve të përkujdesjes ligjore për fëmijët ka pësuar rritje gjatë shekullit XX. Principet themelore të Konventës janë në themel të veprimtarisë së UNICEF-it. Konventa detyron të gjitha shtetet që e kanë ratifikuar të ngrenë norma të së drejtës për gjithçka sanksionohet në këtë dokument. Gjithashtu këto shtete duhet të asistojnë prindërit dhe institucionet që zbatojnë këtë konventë për përmbushjen e detyrimeve ndaj fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›