Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, SHBA investojnë 100 milionë dollarë
Sektori privat, arsimi dhe sipërmarrjet private, kapacitetet udhëheqëse të turizmit kulturor dhe eko-turizmit, do të jenë në qendër të vëmendjes së investimeve nga “Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit”. Me aprovimin e qeverisë amerikane nëpërmjet Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit (USAID) dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ky institucion mendohet të jetë ndër më fitimprurësit që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Në një konferencë për zhvillimin e sektorit privat, kryetari i Bordit të Drejtorëve i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Michael Granoff deklaroi se fondi i dhënë për këtë institucion zhvillimi, kap shifrat e një kapitali fillestar prej 100 milionë dollarësh, ndërsa fusha e investimit do të jetë nxitja dhe zhvillimi i programeve për sektorin privat në Shqipëri. Në konferencë merrte pjesë dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John Withers. Ai ritheksoi mbështetjen e qeverisë amerikane për rritjen e progresit të Shqipërisë. Ndër investimet e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve janë Banka Amerikane e Shqipërisë, Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Kompania e Sigurimeve “SIGAL”, Kompania e dokumenteve të identitetit “ALEAT”, etj.
Investimet e huaja në Shqipëri, Ministri i Ekonomisë takon ambasadorët e huaj
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, është shprehur se do të vazhdojë zhvillimi i biznesit si dhe nxitja e investimeve të huaja në Shqipëri. Ministri Prifti ka zhvilluar dje takime me Drejtoreshën e USAID, Roberta Mahoney, ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobbio, ambasadorin e Italisë, Saba D’Elia, dhe ambasadoren e Maqedonisë, Blagorodna Mingova Krepieva. Qëllimi i këtyre takimeve, ishte jo vetëm prezantues, por edhe një kërkesë për rritjen e mundësive të bashkëpunimit dypalësh. Ministri Prifti shprehu prioritetet dhe objektivat e qeverisë, në veçanti për të gjitha pasuritë minerare, energjetike, gjeotermale, si edhe për vënien në funksion të bursës së Shqipërisë, duke krijuar një mjedis sa më të përshtatshëm dhe tërheqës për investitorët e huaj. Ai theksoi gjatë takimeve se çdo marrëveshje dypalëshe e çdo lloji do të ishte jo vetëm një përfitim ekonomik, por edhe një eksperiencë ndërkombëtare. Ministri Prifti i falënderoi palët, duke i ofruar mbështetjen e tij për çdo mundësi bashkëpunimi në drejtim të zhvillimit të biznesit në Shqipëri dhe duke kërkuar përforcimin dhe mbarëvajtjen e marrëveshjeve ekzistuese.
7 Tetor 2009