Fondacioni “Vodafone Albania” do të rindërtojë shkollën e Gërdecit
Fondacioni “Vodafone Albania” do të rindërtojë shkollën 9-vjeçare të fshatit Gërdec në bashkinë e Vorës (Tiranë), e shkatërruar nga shpërthimi famëkeq i 15 marsit 2008. Puna do të realizohet përmes një investimi prej rreth 25 milionë lekësh. Burime zyrtare pranë këtij fondacioni bënë të ditur dje për gazetën se rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare të Gërdecit do të nisë brenda kësaj jave. Sipas burimeve të mësipërme, investimi për shkollën nga fondacioni “Vodafone Albania” është pjesë e ndihmës që ka dhënë ky fondacion për banorët e dëmtuar nga shpërthimi i depos së demontimit të municioneve në 15 mars në fshatin Gërdec. Shuma e akorduar në këtë drejtim, së bashku me atë për rindërtimin e shkollës, arrin në vlerën totale 30 milionë e 400 mijë lekë. Në datën 15 mars të këtij viti, në fshatin Gërdec (Vorë), ndodhi një shpërthim i fuqishëm në një depo demontimi të municioneve ushtarake, që shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e qindra të tjerëve si dhe dëme të shumta materiale.
18 Shtator 2008