Prokuroria, intervistohen disa të dëmtuar nga shpërthimi në Gërdec
TIRANË - Hetuesit e çështjes “Gërdeci” kanë administruar ditët e fundit dëshmitë e disa dëshmitarëve, të cilët janë persona që kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi në fabrikën që demontonte municione luftarake më 15 mars, në fshatin Gërdec në Vorë. Burime pranë grupit hetimor pohuan të martën se, gjatë javëve të fundit hetuesit kanë shkuar në banesat e disa nga të dëmtuarve si pasojë e shpërthimit në Gërdec, duke realizuar kështu procedurën e intervistimit të tyre. Mësohet nga burimet se dëshmitarët janë marrë në pyetje mbi rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes në fjalë në funksion të dokumentimit ligjor të saj. Si pasojë e shpërthimit më 15 mars në Gërdec humbën jetën 26 persona ndërsa mbetën të plagosur shumë të tjerë. Në hetim për këtë çështje, e cila po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme, janë marrë disa persona administratorë të subjekteve të Fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gërdec si dhe ish-funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Pranga 37–vjeçarit, ushtroi dhunë mbi gruan që mbrohej nga gjykata
Tiranë – Ushtroi dhunë mbi bashkëshorten që mbrohej nga gjykata, arrestohet. Burimet thanë për gazetën se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Luan Ndreu, 37 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Institutin Bujqësor. Arrestimi i tij u bë pasi dy ditë më parë, rreth orës 09:00, duke shkelur vendimin nr. 7319, datë 3 shtator 2008, të gjykatës për urdhrin e mbrojtjes së një shtetaseje, banuese në adresën e mësipërme. Burimet thanë se ai e ka fyer, goditur me grushte në kokë pa ndonjë shkak. Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë, për veprat penale të “dëmtimeve të tjera me dashje”, “fyerjes” dhe “pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
18 Shtator 2008