E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të depolitizohet posti i kryetarit të Kuvendit në Shqipëri”



Eljona Ballhysa
Ideja më e fundit që është hedhur në skenën e politikës shqiptare është depolitizimi i postit të kryetarit të Kuvendit. Një deklaratë e tillë është bërë dje, në një prononcim për mediat, nga zëvendëspresidentja e Dhomës së Komunëve në Mbretërinë e Bashkuar, Silvia Hill, e cila ndodhet prej tri ditësh në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Hill ka sjellë për opinionin publik shqiptar eksperiencën e Britanisë së Madhe. Ajo ka bërë të ditur se kryetari i Parlamentit në Mbretërinë e Bashkuar, kur zgjidhet në këtë post, heq dorë nga përkatësia partiake. Hill ka kërkuar që këtë variant ta ndjekë dhe politika shqiptare, pasi sipas saj, është e nevojshme që kryetari i Kuvendit të drejtojë seancën pa dallime partiake. Kjo ide e hedhur dje nga zëvendëspresidentja e Parlamentit britanik, është mbështetur dhe nga deputetja Lajla Përnaska.
Sugjerimi
“Në Mbretërinë e Bashkuar kryetari Parlamentit braktis përkatësinë partiake për të drejtuar palët. Është një rast unik në Bashkimin Europian dhe mendoj se duhet ndjekur dhe në Shqipëri. Të jesh kryetare parlamenti duhet të kesh autoritet, të respektosh kompetencat, të kesh sens humori dhe të zbatosh rregulloren pa dallime partiake dhe gjinore”, - ka sugjeruar Silvia Hill. Një sugjerim i tillë ka ardhur në një kohë kur opozita jo rrallëherë ka kundërshtuar mënyrën e drejtimit të seancave nga kryetarja e Kuvendit shqiptar, Jozefina Topalli. Shpeshherë deputetët e opozitës e kanë akuzuar Topallin se e drejton seancën si nënkryetare e Partisë Demokratike, dhe jo si kryetare Kuvendi. Pritet që ky sugjerim të mbështetet veçanërisht nga partitë opozitare. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme ideja e hedhur nga Hill në një takim me grupet e shoqërisë civile për fuqizimin e rolit të gruas në Shqipëri është mbështetur dhe nga deputetja e maxhorancës, Lajla Përnaska. Ajo është shprehur se politika duhet ta diskutojë, pasi është një variant që nuk duhet përjashtuar. “Mund të jetë një propozim që duhet të hidhet në diskutim, pse jo, dhe në realitetin shqiptar. Një status i tillë do të ishte i nevojshëm dhe do të ndihmonte dhe funksionimin e institucioneve, sepse ne kemi pozicionin e presidentit, që e kemi detyrimisht apolitik dhe ndoshta është për t’u parë, duke iu referuar edhe eksperiencës britanike, nëse do të jepte ndihmesë realitetit të funksionimit në Shqipëri të institucionit të Kuvendit”,- është shprehur Përnaska.
Takimet
Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, Silvia Hill ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me kryetarë të institucioneve të larta shtetërore. Një ditë më parë ajo zhvilloi një takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ndërsa gjatë ditës së djeshme Hill u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë këtij takimi presidenti Topi e njohu zonjën Hill me punën konkrete që po bëhet lidhur me reformat kryesore në vend, reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi si dhe angazhimin e plotë të vendit tonë për të përmbushur detyrimet që do të mundësojnë integrimin euroatlantik. Ndërsa Hill, nga ana e saj, ka garantuar vazhdimësinë e mbështetjes së gjithanshme britanike, sidomos përsa i përket bashkëpunimit parlamentar e plotësimit të standardeve të kërkuara dhe përballjes me kapërcimin e sfidave të ardhshme.

Rusmali kërkon kohë shtesë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Bashkëkryetari demokrat i Komisionit Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Ilir Rusmali, nuk përjashton mundësinë e një shtyrjeje të re të mandatit të këtij komisioni. Ndonëse kanë mbetur dhe disa ditë nga skadimi i afatit të vënë në dispozicion për përfundimin e kodit, për Rusmalin fakti se ende nuk është proceduar me kapitujt e nxehtë të tij, siç janë koalicionet dhe administrata zgjedhore, mund të shkaktojë vonesë. “Për këto ekspertët janë ende duke punuar dhe nuk kanë mundur të na japin një tekst përfundimtar. Ky komision ka ende afat për të punuar, këtë gjë mund ta them në fund të muajit, nuk mund ta paralajmëroj dot”,- është shprehur Rusmali. Ndërkohë, paralajmërimet për bojkot të Parlamentit nga ana opozitës, sipas bashkëkryetarit demokrat, nuk mund të konsiderohen shqetësuese. Mbledhja e radhës e Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore do të mbahet ditën e premte, kur është parashikuar seancë dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme për ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit.

Tom Doshi kërkon të rikthehet te Partia Socialiste

Demokristiani Tom Doshi ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë në Kryesinë e Kuvendit për t’u ribërë pjesë e Grupit Parlamentar socialist. Ndërsa selia rozë ka konfirmuar se kërkesa e Tom Doshit është mirëpritur dhe se dera e socialistëve do të mbetet e hapur për të gjithë ata deputetë që duan të kundërshtojnë politikën e regresit të përfaqësuar, sipas tyre, nga kryeministri aktual. Tom Doshi është zgjedhur më tre korrik të vitit 2005 si deputet i Partisë Socialiste. Por ai u largua nga kjo parti duke iu bashkuar Partisë Demokristiane në kohën kur drejtimin e kësaj partie e mori Nard Ndoka. Tashmë, pas largimit të Ndokës nga Ministria e Shëndetësisë, në një kohë kur kjo parti nuk përfaqësohet në qeverisje, Doshi ka deklaruar largimin nga PDK-ja dhe rikthimin në gjirin e PS-së. Pas largimit të Tom Doshit e të Pashk Ujkës, grupi demokristian nuk rrezikon të shpërbëhet pasi së bashku me Gilman Bakallin numri i deputetëve bëhet shtatë, aq sa parashikon dhe rregullorja e Kuvendit për të krijuar një grup parlamentar.

Ndoka: “Topalli është prezantuar në Itali si kryetare e Partisë Demokristiane”

Nard Ndoka ka hedhur të tjera akuza kundrejt kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Ai ka bërë të ditur se Topalli është prezantuar në Itali si kryetare e Partisë Demokristiane Shqiptare. Madje, sipas Ndokës, numri dy i Partisë Demokratike ka telefonuar në Itali kryetarët e partive demokristiane dhe ka kërkuar që të heqin nga lista e të ftuarve emrin e Ndokës. “Topalli është prezantuar si presidente e Partisë Demokristiane në Itali. Madje disa prej tyre i kishte marrë në telefon për të anuluar takimin tonë që unë mos të flisja aty, gjë që nuk u realizua”, - është shprehur Ndoka. Kohët e fundit kryetari i Partisë Demokristiane e ka akuzuar kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë se ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të përçarë PDK-në. Madje, sipas Ndokës, Topalli ka ndikuar në përjashtimin e tij nga qeverisja me PD-në.

Aleatët e djathtë denoncojnë koalicionin informal

Aleatët e Partisë Demokratike kanë denoncuar mosfunksionimin e tryezës së kryetarëve të partive të këtij koalicioni. Në një kohë kur të majtët kanë mëse një muaj që zhvillojnë negociata dhe takime për thellimin e bashkëpunimit midis tyre, të djathtët duken më të përçarë se kurrë. Tryeza e kryetarëve të koalicionit të djathtë qeverisës ka kohë që nuk mblidhet. Kryeministri Berisha ka hequr dorë nga konsultimi me aleatët edhe për çështje shumë të rëndësishme. Madje së fundmi dy partitë e mëdha PD-ja dhe PS-ja kanë kohë që negociojnë për ndryshimet në kodin zgjedhor. Pikërisht edhe për këtë angazhim parlamentar kryeministri nuk ka denjuar të diskutojë me aleatët, ndërkohë që ndryshimet në Kod prekin drejtpërsëdrejti partitë e vogla parlamentare. Kryeministri Berisha nuk ka diskutuar as për mënyrën e bashkëpunimit me të vegjlit e djathtë. Vetëm pak kohë më parë, ai është shprehur se është i hapur për çfarëdolloj forme bashkëpunimi, federatë, konfederatë apo dhe shkrirjen e ndonjë partie me PD-në. Ndërsa të vegjlit shprehen skeptikë. Kryetari i PDK-së, Ndoka është shprehur dje se Partia Demokratike po rrezikon fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Koalicioni i djathtë është i çorientuar. Ka mungesë dialogu. Partia Demokratike po rrezikon fitoren në zgjedhjet e vitit 2009”,- është shprehur Ndoka.
Këtë e ka denoncuar dje dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Arian Madhi. Sipas Madhit, dialogu midis partive të djathta është inekzistent. Ndërkohë që një tjetër aleat i PD-së, Vangjel Dule, dje ka marrë pjesë në tryezën e krerëve të partive opozitare. Kjo tregon fillimin e përçarjes së koalicionit qeverisës.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›