Mbrohej nga policia, rrihet sërish nga ish-bashkëshorti
DURRËS – Një 27-vjeçare, megjithëse e ka denoncuar bashkëshortin për dhunë dhe është marrë nën mbrojtje nga policia, sërish ka rënë pre e keqtrajtimit nga bashkëshorti i saj. Vetëm pas denoncimit të radhës në komisariatin e Policisë së Durrësit, forcat e rendit janë vënë në kërkim, por autori është larguar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasja L.K., ka bërë kallëzim ndaj bashkëshortit të saj Flamur Kunesha, lindur në Dibër dhe banues në lagjen Nr. 14 në qytetin bregdetar. Sipas zëdhënëses së Policisë, Ornela Cako, 40-vjeçari Kunesha ka shkelur vendimin e Gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për gruan e tij.
Ngjarja
Edhe nëse denoncon shteti nuk të mbron dot. Një gjë e tillë ka ndodhur me shtetasen L.K., lindur në Dibër dhe banuese në lagjen Nr. 14 në qytetin bregdetar. 27 vjeçarja kishte pasur konflikte me bashkëshortin e saj, Flamurin dhe bëri një denoncim në komisariatin e policisë. Autoritetet policore nisën menjëherë procedurat e marrjes në mbrojtje të saj. Pikërisht në momentin kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Durrësit kishte lëshuar urdhrin, gruaja është dhunuar sërish nga burri i saj, megjithëse ajo konsiderohej e mbrojtur nga policia. Dy ditë më parë, shtetasi Flamur Kunesha ka shkuar në shtëpinë e ish-bashkëshortes dhe e ka keqtrajtuar. Pasi është larguar, “viktima” është drejtuar në polici, ku ka bërë sërish denoncimin.
Kërkimi
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ka nisur puna për kapjen e shtetasit Flamur Konesha. Sipas tyre, 40-vjeçari ka shkelur vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për ish-bashkëshorten e tij L.K. Burimet zyrtare pohojnë se Konesha ka qenë i dënuar edhe më parë. Ai është prangosur dhe ka vuajtur dënimin në qeli dy herë, i shpallur fajtor për akuzën e vjedhjes. Tashmë, 40-vjeçari do të përballet sërish përballë drejtësisë për mosrespektimin e vendimit të gjykatës për mbrojte të bashkëshortes së tij dhe për ushtrim dhune në familje, të përsëritur. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut, Ornela Cako ka nisur puna për kapjen e tij. Cako pohon se materialet për veprat penale të “dëmtimeve të tjera, me dashje dhe veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës”.
Në komisariatet e Qarkut të Durrësit janë regjistruar me dhjetëra raste të denoncimeve për dhunë në familje. Ky është një fenomen i përhapur, ku shumë çifte përdorin dhunën në vend të zgjidhjes së martesës në rrugë gjyqësore. E njëjta situatë është edhe në rrethet e tjera. Vetëm në Qarkun e Tiranës janë regjistruar mbi 160 denoncime për tre muajt e fundit.
Aksidentet në punë, një i vdekur dhe një i plagosur rëndë
Mungesa e kushteve të sigurimit në punë është bërë shkas që të shkaktohen sërish viktima. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë raportuar dy ngjarje të rëndë, me pasojë vdekjen e një 40-vjeçari dhe plagosjen e një 19-vjeçari tjetër në rrethet e Beratit dhe Elbasanit. Burimet zyrtare raportojnë se shtetasi Gramoz Dyrmo ka vdekur pasi ka rënë nga skela e një banese në ndërtim e sipër që ndodhej në fshatin Lapardha. Fshatarët janë munduar ti japin ndihmën e shpejtë Dyrmos, duke e dërguar menjëherë në spital por si pasojë e dëmtimeve të rënda, 40 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Po të njëjtën ditë një tjetër person mbeti i plagosur gjatë një aksidenti në punë. "Florian Dushku, 19-vjeç, nga fshati Jagodinë i këtij rrethi, u dëmtua rëndë ndërsa ka qenë duke punuar”- thanë burimet e policisë. Ai u transportua me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit të Elbasanit, ndërkohë që mjekët kanë sqaruar se ai ka pësuar politraumë. Sipas tyre, gjendja e 19-vjeçarit mbetet kritike për jetën. Ndërkohë në vendin e punës, ku ndodhi aksidenti ka mbërritur policia dhe një grup hetimor. Sipas tyre, po punohet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Vetëvarur 37-vjeçari, lë në një copë letër amanetet
DURRËS - Një person është gjetur i vetëvarur në një ndërtesë të braktisur në Durrës, pasi ka lënë në një copë letër amanetet për familjen e tij. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Nr. 1 të qytetit bregdetar dhe ai është parë nga kalimtarët të rastit, të cilët kanë njoftuar policinë. Sipas burimeve të policisë, trupi ka qenë i varur pas shtyllës së mesit të katit të parë të një ndërtese dhe është dashur kohë që të identifikohej. Pas hetimeve, policia ka njoftuar se ai është banor i Durrësit dhe quhet Lavdërim Ganeja, 37-vjeç. Ekspertët dhe psikologët kanë konstatuar se zgjedhja e këtij vendi që realisht mund të konstatohej nga rruga, mund të interpretohet edhe si një dëshirë për t’u gjendur nga dikush dhe që ta largonte nga akti që kishte planifikuar të kryente. Për të realizuar vetëvarjen viktima kishte përdorur një nga kabllot e furnizimit me energji elektrike, të cilën ekspertët e policisë shkencore kanë konstatuar se e kishte shkulur nga muret e prishura, ku ato vareshin lirshëm. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ky është një rast vetëvrasje në kushte depresioni, pasi viktima ka lënë në një copë letër mesazhin e fundit për familjarët e tij.
18 Shtator 2008