E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furtunë në policinë e Fierit, ndryshohen krerët



FIER – Brenda pak ditësh është përfshirë nga një valë e madhe ndryshimesh edhe Policia e Fierit, pas lëvizjeve të drejtuesve të Qarkut të Durrësit, Elbasanit dhe Beratit.
Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit do të drejtohet që nga dita e mërkurë nga kryekomisari Shemsi Prençi, i cili iu prezantua dje pasdite efektivave të policisë nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rasim Boriçi. Prençi, me një karrierë të gjatë në polici, ka mbajtur deri tani detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut në Berat, duke zëvendësuar Arjan Bozhajn, i cili pas dy vitesh drejtimi të policisë së Fierit, transferohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po dje, Boriçi prezantoi dhe zëvendësdrejtorin e ri të policisë së Qarkut të Fierit, Elidon Veizin, i cili ashtu si Prençi vjen nga Berati, ku mbante të njëjtin post. Veizi zëvendëson Artan Çukun, i cili është transferuar në po këtë detyrë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit. Pak ditë më parë u bënë lëvizje të tilla në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit dhe të Elbasanit.

Kapen dy adoleshente në Sarandë, u denoncuan të zhdukura në Durrës

SARANDË – Dy vajza të denoncuara të zhdukura në rrethin e Durrësit janë ndaluar nga policia e Sarandës, e cila ka hedhur dyshime se ato po trafikoheshin në shtetin fqinj të Italisë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ditën e hënë shërbimet policore në jug të vendit kanë verifikuar dhe më pas kanë ndaluar shtetaset Xh.B dhe E.J., 15 dhe 17 vjeçe, të dyja me banim në Sektorin Rinia, në komunën e Katundit të Ri. Ato janë kthyer në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit dhe më pas iu janë dorëzuar familjarëve, të cilët i kishin denoncuar si të zhdukura më 25 gusht të këtij viti. Burimet policore shprehen se dy vajzat, ku njëra prej tyre ishte e mitur janë larguar nga banesat e tyre më dëshirë. Por nga hetimet paraprake dyshohet se ato mund të kenë qenë kontingjent për trafik jashtë vendit.

Zbardhet shkaku i vdekjes së 58-vjeçarit, u godit nga infarkti

DURRËS - Një 58-vjeçar është goditur nga infarkti dhe ka mbetur i vdekur në mes të rrugës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreht orës 16.45 është gjetur i vdekur në rrugën “Hasan Koçi” të qytetit bregdetar shtetasi Riza Martinaj. Menjëherë pasi është identifikuar viktima, nisën hetimet për zbardhjen e shkaqeve. Sipas po të njëjtave burime, theksohet se vdekja e 58-vjeçarit Martinaj ka ardhur si pasojë e një ataku kardiak që ai ka pësuar. Megjithatë theksohet se do të jenë përfundimet e hetimeve ato që do të zbardhin shkaqet e vdekjes së tij.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›