Privatizimi i OSSH-së, frika e përsëritjes së skandaleve ndryshon procedurat
Ervin Koçi
Frika e përsëritjes së skandaleve apo problemeve të ngjashme si në rastin e procedurave për privatizimin e kompanisë “ARMO”, ka detyruar qeverinë që të rishikojë procedurat për privatizimin e OSSH-së. Këshilli i Ministrave ka shqyrtuar dhe ka miratuar në mbledhjen e djeshme, disa shtesa dhe ndryshime në vendimin “Për përcaktimin e madhësisë së paketës së aksioneve të kapitalit të shoqërisë anonime “operatori i sistemit të shpërndarjes”, që u ofrohet investitorëve strategjikë. Burime nga Ministria e Ekonomisë bënë të ditur për gazetën “Albania” se, “edhe pse ndryshimi i disa prej pikave të procedurave të privatizimit është më tepër i aspektit teknik dhe i udhëzuar nga vetë ministri i Ekonomisë, Ruli, ai ka për qëllim moslejimin e ndodhjes së situatave të ngjashme me procedurat e privatizimit të kompanisë së naftës ARMO”. Sipas burimeve të mësipërme mësohet se “shtyrja e afateve, sidomos të verifikimit të dosjeve që do të paraqiten nga firmat që do të garojnë për blerjen e aksioneve të OSSH-së, është një element që do t’i mundësojë komisionit të verifikimit të dokumenteve më shumë kohë për të njohur se cilat janë kompanitë e paraqitura në garë, me qëllim eliminimin e problemeve apo skandaleve”. Burimet e mësipërme bëjnë të ditur se e gjithë procedura e privatizimit është riparë, por ndryshimet në të janë për disa aspekte kyçe dhe teknike.
Ndryshimet
Ndryshimet kryesore që i përkasin rishikimit të procedurave të privatizimit të 76 për qind të aksioneve të OSSH-së janë përqendruar kryesisht në dy aspekte kryesore. I pari është ndryshimi në “çmimin e blerjes”, që është një pikë mjaft e rëndësishme në projektligj, dhe tjetra është ndryshimi në procedurat e shqyrtimit të dosjeve të kompanisë. Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, “Çmimi i blerjes” ndryshohet si vijon: “Oferta financiare do të përmbajë çmimin e ofertuesit (çmimi i kufizuar i blerjes), që duhet të shprehet si një sasi fikse, në euro, për t’u paguar për blerjen e shtatëdhjetë e gjashtë për qind (76%) të aksioneve të OSSH-së, bazuar në ndryshimin e kufizuar të marrëveshjes së blerjes së aksioneve. Oferta financiare mund të përmbajë, gjithashtu, një çmim indikativ blerjeje “Çmimi i hapur i blerjes” për t’u paguar në bazë të ndryshimit të hapur të marrëveshjes së blerjes së aksioneve”.
Shqyrtimi i ofertave
Procedurat për “Vulosje dhe shënim të ofertës”, janë një tjetër pikë që në projektligjin për procedurat e privatizimit të aksioneve të OSSH-së, do të pësojnë ndryshime. Ndryshim pëson afati i shqyrtimit që nga “15 shtator 2008” zëvendësohet me “29 shtator 2008”. Projektligji parashikon që, “pas hapjes së secilës ofertë teknike, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të shqyrtojë ofertat teknike, për të përcaktuar nëse ato janë të plota dhe në përputhje me udhëzimet për ofertuesin”. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të ketë tri (3) ditë kohë nga data e hapjes së ofertave financiare, për t’i vlerësuar ato. Ofertat financiare renditen në bazë të çmimit të kufizuar të blerjes, që përmbahet në këto oferta financiare, nga çmimi më i lartë në atë më të ulët.
Puna në të zezë, qeveria e shpall vepër penale mosdeklarimin e punonjësve
Qeveria ka ndërmarrë një tjetër iniciativë ligjore për të luftuar informalitetin në punë, duke e shpallur vepër penale mosdeklarimin dhe mossigurimin e punonjësve nga pronarët e subjektit. Kryeministri Sali Berisha urdhëroi dje Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave të hartojnë një kuadër ligjor ku “puna në të zezë” do të trajtohet si vepër penale. Kuadri ligjor do të paraqitet në qeveri javën tjetër dhe sipas kryeministrit Berisha kuadri synon të përballë me ligjin atë që do të pasurohet në kurriz të “punës së zezë”. Sipas kryeministrit, “puna në të zezë të mos trajtohet si një problem civil, por si një problem penal dhe i rëndë. Kjo do të shpallet vepër penale. Qeveria duhet të jetë shumë e prerë”. Kreu i qeverisë kujtoi reformën e ndërmarrë nga qeveria, në lidhje me uljen në 15 për qind të pagës së sigurimeve shoqërore që punëdhënësi duhet të paguajë për punëtorët, si një lehtësim për biznesin. “Ai që do të pasurohet në punë të zezë, duhet të përballet me ligjin, pasi ky nuk është shekulli i XVIII apo XIX, por ky është shekulli i lirive dhe i të drejtave të pamohueshme të njerëzve", - tha kryeministri Berisha.
Projektbuxheti 2009, ministri i Financave informon FMN-në
Delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ndodhet në Tiranë, është njohur dje me detajet e projektbuxhetit 2009. Ministri i Financave, Ridvan Bode, i ka siguruar përfaqësuesit e FMN-së se projekti së shpejti do të jetë gati për miratim në Kuvend. Në takimin që u zhvillua dje, ministri Bode i prezantoi misionit të FMN-së, të kryesuar nga Gerwin Bell, pikat kryesore të buxhetit 2009 dhe siguroi se shumë shpejt projekti do të jetë gati për miratim në Kuvend. Misioni i FMN-së do të qëndrojë një javë në Tiranë. Gjatë kësaj kohe delegacioni do të zhvillojë takime me stafin teknik të ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë për detajet e projektbuxhetit 2009 dhe hartimin e tij sipas marrëveshjes që ekziston mes Fondit dhe Qeverisë shqiptare. Ndërsa të martën, më 23 shtator, parashikohet një konferencë e përbashkët për shtyp e misionit të FMN-së me drejtues të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë.
18 Shtator 2008