Motra i çonte drogë vëllait të burgosur në Rrogozhinë
Luan Kondi
Tiranë – Gruaja rreth të 50-ave nuk e ka menduar se nuk do të arrinte ta vizitonte të vëllanë që vuante dënimin në Burgun e Rrogozhinës, pasi kishte një problem me kontrollin e teshave të destinuara për atje. Pas kontrollit të zakonshëm, gjithçka ka rezultuar e paligjshme për Luljeta Dungun, që kishte shkuar nga Tirana për të parë të afërmin e saj në Burgun e Rrogozhinës. Jo vetëm kaq, por ajo nuk ka mundur të realizojë as qëllimin për të cilin kishte udhëtuar për kilometra të tërë. Dungu do të përgjigjet tashmë për veprën penale të kryer.
Arrestimi
Burime policore thanë për gazetën se specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës kryen arrestimi në flagrancë të shtetases Luljeta Drugu, 50 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banuese në Tiranë. Sipas të njëjtave burime kjo shtetase është kapur në flagrancë në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të dënimeve penale Rrogozhinë, ku kishte shkuar për të takuar vëllain e saj, i cili vuan dënimin në këtë institucion. Gjatë kontrollit të çantës së saj janë gjetur një palë tuta ku në xhepin e tyre ishin dy mbështjellëse plastmasi me një lloj pluhuri e dyshuar lëndë narkotike. Sipas njoftimit të policisë në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.1 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë, një pasaportë shqiptare, karta e telefonit mobil, një çantë e zezë dhe një palë tuta sportive.
Hetimi
Edhe pse nuk ka qenë e dyshuar, materialet që gruaja kishte futur në çantë për t’ia dërguar vëllait i janë nënshtruar kontrollit të zakonshëm nga i cili rezultoi se në xhepin e tutave sportive ishin vendosur dy doza pluhuri, që mendohet kokainë. Menjëherë pasi kanë pikasur këtë gardianët me shumë takt e kanë lënë të presë 50-vjeçaren, ndërsa kanë mbërritur atje ekspertët e Antidrogës. Këta të fundit kanë konstatuar se pluhuri edhe pse në sasi të vogël dyshohej të ishte kokainë dhe sipas tyre destinacioni ishte vëllai i 50-vjeçares, që njihej si përdorues i saj. Kaq ka mjaftuar që e të ndryshonte edhe qëndrimi ndaj 50-vjeçares, e cila është prangosur dhe dërguar në ambientet e policisë së Rrogozhinës e prej aty në Kavajë, ku është marrë edhe në pyetje nga ekspertët. Burimet të sigurta thanë se 50 - vjeçarja do të përgjigjet për veprën penale të “shitjes dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë Kavajë.
Vodhi një shtëpi në Tiranë, identifikohet i mituri
Tiranë – Një i mitur është identifikuar si hajduti i një banese në kryeqytet. Burimet policore thanë për gazetën se specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera bënë të mundur identifikimin e shtetasit E. H., vjeç 13, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, pasi në ngarkim të tij është mundur të zbardhet vjedhja e banesës së një shtetaseje ndodhur në rrugën “Mujo Ulqinaku”. U kryen veprimet procedurale dhe materialet i kaluan prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes”.
Dërgohet në qeli adoleshenti i kërkuar për dënimin e pakryer
Tiranë – Dërgohet në qeli adoleshenti, pasi ishte në kërkim për dënim të pakryer. Burime të sigurta thanë për gazetën se Specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit ekzekutuan dje urdhrin e ndalimit për shtetasin Agron Berisha, 18 vjeç, lindur dhe banues në Bregu Lumi. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendim nr. 523, datë 11.04.2008, e ka dënuar me 2 muaj burg, për veprën penale të “vjedhjes”.
18 Shtator 2008