Fondacioni “Vodafone Albania”, shtohen financimet dhe zgjerohet harta e projekteve
Fondacioni “Vodafone Albania” prezantoi dje raportin e vjetor për vitin 2009-2010 duke vijuar traditën e transparencës dhe raportimit të financimeve, si pjesë e rolit të përgjegjshmërisë. Në raport paraqiten të detajuara investimet dhe financimet sociale për periudhën prill 2009 –mars 2010, shumë e cila kap vlerën prej 76,836,969 lekësh, (afërsisht 560,000 euro) duke sjellë në vëmendjen e partnerëve dhe mbarë publikut, rolin e Fondacionit si një ndër donatorët më të ndjeshëm ndaj njerëzve në nevojë. Me fondet e siguruara nga shoqëria “Vodafone Albania Sh.A.” dhe “Vodafone Foundation” në Mbretërinë e Bashkuar, konstatohet me kënaqësi se Fondacioni “Vodafone Albania” shënon zgjerim të dy programeve kryesore, atë të Granteve të dhuruara dhe të programit ‘Bota e Ndryshimit’. Programi i Granteve, që zë dhe peshën kryesore të buxhetit vjetor përzgjodhi gjithsej 19 projekte mes aplikimeve të shumta. Vlen të theksohet se harta gjeografike e projekteve shtrihet në zona të thella e të skajshme të Republikës së Shqipërisë, që nga Puka, Shkodra, Lezha e Kukësi e deri në Librazhd, Elbasan, Lushnjë, Vlorë, Berat, Kavajë, Tiranë, Korçë etj. Në 12 muajt e fundit, të 19 organizatat jofitimprurëse iu përkushtuan zbatimit të projekteve në shërbim të komuniteteve në nevoje, nisma që i përkasin fushave të edukimit të hershëm për fëmijët në zona të thella, asistencë ndaj të moshuarve dhe pacientëve me sëmundje kronike, personave me aftësi të kufizuara, ndihma ndaj viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe ndaj minorenëve në burgje, mbështetje ndaj fëmijëve që vuajnë nga talasemia dhe autizmi, e mjaft kategori të tjera. Përveç programit të granteve, Fondacioni “Vodafone Albania” në prill 2009 njoftoi sërish hapjen e aplikimeve për programin ‘Bota e Ndryshimit’, falë të cilit u përzgjodhën 3 fitues për të punuar me sfidat e tyre në zonat më problematike. Edhe këtë vit, tradita e bukur e organizimit të Lojërave Speciale Olimpike ishte një shprehje e gjithëpërfshirjes, dëshirës për jetën dhe solidarizimit. Një tjetër ngjarje e rëndësishme, ku Fondacioni “Vodafone Albania” u shqua mes donatorëve të tjerë ishte përgjigja e shpejtë ndaj emergjencës humanitare të krijuar nga përmbytjet në veri të Shqipërisë në fillim të vitit 2010, duke u rreshtuar përkrah Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Komitetit Ndër-Ministror për Emergjencat, me qëllim për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga përmbytja. Përkrahja e iniciativave të Fondacionit “Vodafone Albania” nga një numër i madh vullnetarësh ka qenë një mbështetje e vyer, që u ka hapur rrugë edhe mënyrave të reja të bashkëpunimit. Të dy donatorët “Vodafone Foundation” në Mbretërinë e Bashkuar dhe shoqëria “Vodafone Albania Sh.A” japin garanci për vijueshmërinë e programeve ekzistuese dhe në mënyrë të veçantë të programit ‘Bota e Ndryshimit’, gjë që shton pritshmërinë për të ardhmen.
BOX/////////////////////////
Disa të dhëna nga Raporti Vjetor 2009-2010 i Fondacionit “Vodafone Albania”
1- Fondi total për periudhën 2009-2010 është 76,836,969 lekë, çka përfshin shumën e dhuruar për Grantet, projektet e ‘Bota e Ndryshimit’ dhe përgjigjen ndaj emergjencave.
2- Nga i gjithë totali i dhuruar në një vit, program vjetor i Granteve është zëri kryesor i financimeve me 58,343,100 lekë për 19 projektet e miratuara
3- Përgjigja ndaj emergjencave ka shënuar rënie me një vit më parë dhe është në nivelet e 15,011,868 lekëve.
22 Korrik 2010