E Diel, 1 Nëntor 2026

Rekomandimi i FMN-së për qeverinë, “zgjidhni konfliktin me OSSH-në”



Ervin KOÇI

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejt qeverisë shqiptare të nisë veprimet ligjore për të zgjidhur konfliktet e vjetra që ka me disa ish-kompani shtetërore tashmë të privatizuara. Në dokumentin zyrtar të publikuar pas përfundimit të misionit në Tiranë, si dhe të largimit të delegacionit të kryesuar nga Gerwin Bell, FMN-ja shprehet shumë e shqetësuar në lidhje me detyrimet që qeveria shqiptare ka akoma ndaj kompanisë tashmë private të shpërndarje së energjisë “OSSH”-ë. Në konkluzionin përfundimtar, ekspertët e FMN-së e shohin me shqetësim konfliktet mes OSSH-së dhe Entit Rregullator të Energjisë (pjesë e shtetit). Në raportin e fundit thuhet se: “FMN rekomandon zgjidhjen e shpejtë të çështjeve rregullatore në lidhje me privatizimin e OSSH-së, pasi kjo mund të shkaktojë ekzekutimin e garancisë së Bankës Botërore, çka do të kishte efekte negative në reputacionin e Shqipërisë, sidomos në rastet kur kërkohen kredi nga bankat e huaja ose kur kërkohen të emetohen eurobonde”,- përfundon rekomandimi zyrtar i FMN-së. Por raporti përmend edhe kompani të tjera të mëdha siç është ajo e prodhimit dhe tregtimit të naftës “ARMO”, ndaj të cilës Fondi i ka rekomanduar qeverisë që të mbledhë borxhet që kjo kompani ka ndaj “Albeptrolit”.

Problemi
Vendimi i Entit Rregullator të Energjisë dhënë një vit më parë u konsiderua nga kompania që ka blerë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, si i papranueshëm dhe si një sulm ndaj investimeve të huaja në vend. Kompania “OSSH”-ë dhe “CEZ”, si zotërues i paketës kryesore të aksioneve, kundërshtuan me forcë vendimin e marrë nga Enti për rritjen e tarifës së energjisë elektrike për vitin 2010 dhe vendime të tjera lidhur me të. Vitin e kaluar OSSH-ja i ofroi ERE-s gjithë shpjegimet e kërkuara shtesë. Sipas tyre: “OSSH-ja do të vazhdonte të kishte një rritje të lartë të borxhit prej 20 miliardë lekësh në vitin 2009 kundrejt partnerëve të jashtëm, duke e çuar në nivelin e 25,8 miliardë lekëve. Kjo, në mënyrë të pashmangshme, do të çonte në kolaps financiar dhe më pas në falimentim të OSSH-së”. Sipas saj, “fondet e Planit të Investimit për vitin 2010, të llogaritura në 4,3 miliardë lekë, bazoheshin vetëm në suksesin e aplikimit fillestar të tarifave”. Më tej OSSH-ja deklaroi se do të përdorte të gjitha hapat e mundshëm ligjorë për të mbrojtur interesat e konsumatorëve të saj dhe aksionerëve, duke ndërmarrë hapa ligjorë brenda dhe jashtë vendit, si dhe përdorimin e garancisë së dhënë nga Banka Botërore. “Ne do të kërkojmë të caktohet një auditor i ri për humbjet dhe insistojmë fuqishëm që baza për vendimin mbi tarifat të jetë studimi mbi humbjet në mënyrë që vendimet të përputhen me Deklaratën Rregullatore”, - thoshte deklarata e OSSH-së një vit më parë.

FMN-ja
Sipas udhëzimit të një viti më parë të FMN-së, qeveria duhet të ndërmerrte brenda vitit 2009 një rritje të re të çmimit të energjisë elektrike, të menaxhojë humbjet dhe shpenzimet e mëdha të OSSH-së, si dhe të reduktojë kostot e ndryshme që ka kjo kompani. Në rekomandimet e saj, FMN-ja theksonte se: “dëmi ekonomik i shkaktuar ndër vite në KESH ka pasoja për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe rrezikon privatizimin total të Korporatës”. Po kështu, Fondi kërkonte që të likuidohen totalisht faljet dhe tolerimet për shkelësit dhe kundërvajtësit e energjisë elektrike dhe po i njëjti shembull të ndiqet edhe me borxhet dhe debitorët e prapambetur. Por qeveria shqiptare deri tani duket se nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e përsëritura të FMN-së, duke përfituar edhe nga roli i saj i konsulentit që Fondi ka pas mbarimit të mandatit si udhëzues i politikave financiare.

Borxhet e pashlyera ndaj “Albpetrol”-it, shqetësuar për FMN-në

Në dokumentet zyrtar të publikuar pas përfundimit të misionit në Tiranë, FMN-ja shprehet shumë e shqetësuar edhe në lidhje me detyrimet e prapambetura që “ARMO” i ka kompanisë shtetërore “Albpetrol”. Sipas dokumentit zyrtar të Fondit thuhet se: “detyrimet e prapambetura në rritje të kompanisë ARMO-s kërcënojnë privatizimin e Albpetrolitdhe për rrjedhojë edhe përfundimin e programit të privatizimeve straegjike të Shqipërisë”. Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shifër zyrtare të borxhit që “ARMO” i ka “Albpetrol”-it, por jozyrtarisht është folur për dhjetëra milionë euro. Në të njëjtën kohë vetë “Albeptrol”-i prej disa muajsh nuk ka shlyer pagat e punonjësve, çka shkaktoi një debat të fortë në parlament, pak javë më parë, ku opozita akuzoi qeverinë se po favorizon në mënyrë korruptive kompaninë “ARMO”. Por privatizimi i kësaj të fundit, nuk është i vetmi i kryer nga qeveria këto vite, duke nxjerrë në pah probleme.

22 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›