E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondacioni i Luftes ndaj Droges kritika per kampionet e Europes

Deri tani nuk kishte pasur asnjë kritikë për këtë Spanjë të madhe, sidomos pas fitores së finales së kampionatit europian ndaj Italisë. Lëvdatat ishin pa fund që pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit Proensa, ndërsa festa me të mbërritur në Madrid ishte e shkëlqyer.
Por, një kritikë nuk mund të mungojë, edhe pse nuk ka të bëjë me atë që ka ndodhur në fushën e lojës. Kritika vjen nga Fondacioni i Ndihmës ndaj Drogës në Spanjë, i cili ka mbetur i pakënaqur nga sjellja e yjeve të “La Rohës” gjatë paradës së festës në rrugët dhe sheshet e kryeqytetit spanjoll.
Drejtori i Fondacionit, Injasio Kalderon, ka deklaruar se futbollistët gabuan kur konsumuan alkool gjatë paradës, ndërsa kishin hipur në autobusin e festës me katin e sipërm të hapur. “Ata janë njerëz publikë dhe si të tillë duhet të kujdesen më shumë për imazhin e tyre, ata nuk duhej të kishin konsumuar alkool përpara mijëra njerëzve”, u shpreh ai.
Kalderon është në krye të një fondacioni me mision fisnik dhe është krejt normale që edhe një realitet i madh si Spanja e futbollit të kritikohet. E vërteta është se ndonjë alkool I lehtë edhe përdoret për të festuar në sport, siç ndodh gjatë ceremonive të fituesve në Çmimet e Mëdha të Formula 1. Por, ndoshta në të ardhmen ky realitet do të ndryshojë.
Spanja u shpall kampione e Europës në futboll në Ukrainë e Poloni, pasi fitoi 4-0 finalen ndaj Italisë në stadiumin e Kievit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›